Aksidentet nuk kanë të ndalur, gjatë janarit humbën jetën 23 qytetarë
Aksidentet rrugore janë kthyer në një shqetësim serioz për jetën e qytetarëve, ndërsa viktima më e fundit është një 67-vjeçar në Fier.
Ai u përplas së bashku me bashkëshorten teksa po kalonte në vijat e bardha. Përgjatë muajit janar janë shënuar 128 aksidente ku kanë humbur jetën 23 qytetarë, ndërsa janë plagosur 158 persona.
Ilirian Merdanaj është viktima më e fundit nga aksidentet rrugore.
67-vjeçari u përplas nga një automjet mbrëmjen e të shtunës në Fier teksa po ecte në vijat e bardha bashkë me bashkëshorten.
Merdanaj ndërroi jetë gjatë natës pasi nuk mundi ti shpëtonte plagëve të marra, ndërsa gruaja Gjinovefa Meradanaj është nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore të specializuar. Policia e Fierit këtë të diele i komunikoi masën e arrestit shoferit 30-vjeçar.
Ndërkohë edhe policia e Tiranës arrestoi një tjetër drejtues mjeti, pasi gjatë darkës së të shtunës aksidentoi dy këmbësor në zonën e Unazës së re, ata y dërguan për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Aksidentet rrugore kanë qenë problematike përgjatë gjithë muajit janar, ndërsa numërohen 128 përplasje mjetesh dhe incidente ku janë përfshirë qytetarët.
Si pasojë e përplasjeve kanë humbur jetën 23 persona, nga 16 që ishin në janarin e vitit të shkuar.
Në rritje përgjatë janarit ka qenë dhe numri i personave të plagosur, ku sipas statistikave bëhet fjalë për 158 persona, nga 106 që ishin përgjatë 2020.
Sipas ekspertëve përgjatë muajit kemi patur një rritje të aksidenteve ku të përfshirë kanë qenë këmbësorët, që janë aksidentuar në vija të bardha apo trotuar.
Shpejtësia sipas tyre është shkaku kryesor, por dhe përdorimi i alkoolit apo lëndëve narkotike, për të cilat policia nuk disponon aparate matëse.
SITUATA ME AKSIDENTET
Janar 2020 Janar 2021
93 aksidente 128 aksidente
Te vdekur 16 23 të vdekur
106 të plagosur 158 të plagosur
