Turqia dhe Rusia fillojnë me monitorimin e armëpushimit në Malësinë e Karabakut
Qendra e përbashkët turko-ruse e monitorimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë është bërë funksionale sot në malësinë e Karabakut.
E vendosur në fshatin Merzilli të rajonit Aghdam, qendra do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia, e cila u arrit në nëntor të vitit të kaluar pas luftimeve që zgjatën gjashtë javë.
Pas armëpushimit të 10 nëntorit, Turqia dhe Rusia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të ngritur një qendër të përbashkët për të monitoruar marrëveshjen e paqes në territoret azerbajxhanase të çliruara nga pushtimi armen.
Ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit, Zakir Hasanov, zv/ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yunus Emre Karaosmanoğlu dhe zv/ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Aleksandër Fomin, ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së qendrës, ku do të shërbejnë 60 forca turke dhe 60 ruse.
Duke theksuar rëndësinë e qendrës në monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjes së paqes, Karaosmanoğlu vlerësoi përpjekjet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit azerbajxhanas Ilham Aliyev për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon.
Fjalim mbajtën edhe zyrtarët azerbajxhanas dhe rus, të cilët uruan sukses për stafin e qendrës, duke shtuar se qendra do t'i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon.