Katër pronarë të agjencive turistike janë vënë në pranga me akuzën se kanë krijuar një skemë të paligjshme për udhëtimin e shtetasve shqiptarë në vendet e BE nëpërmjet falsifikimti të testeve anti-COVID. Të dyshuarit u merrnin qytetarëve nga 600 euro për person me qëllim sigurimin e testit negativ me të cilin realizohej udhëtimi në vendet e BE- së dhe kryesisht në Gjermani.

Policia ka vënë në pranga katër persona që falsifikonin testet anti-Covid kundrejt pagesës për të mundësuar udhëtimin e shtetasve jashtë Shqipërisë. Ergys Vejseli, Gentiana Konini, Klotida Çela dhe Petrit Cara, nga Tirana, me aktivitet tregtar agjenci udhëtimi dyshohet se kanë përfituar nga situata e pandemisë duke përfituar vlera monetare nëpërmjet udhëtarëve që të kishin destinacion kryesisht në Gjermaninë.

Policia tha se ata u kanë marrë klientëve nga 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe duke falsifikuar garancitë e destinacionit në vendin pritës.

 Sipas burimeve të policisë mësohet se bëhet fjalë për të paktën 500 persona që janë kaluar në Gjermani.

Fillimisht ata i kalonin klientët e tyre nga Shqipëria me autobusë për në Hungari dhe më pas në Gjermani.

Hetimi për ta ka nisur prej një muaji ndërsa veprimtarinë dyshohet se e kanë filluar që nga muaji shtator.

Gjithashtu mësohet se pak ditë më parë në Gjermani është kapur edhe një furgon me shqiptarë që ishin çuar nga këto agjenci.

Katër pronarët merrnin nga 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, ndërsa në total që prej aplikimit të kësaj skeme të kenë përfituar shumën prej më shumë se 300 mijë eurosh.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat për mashtrim, falsifikim dokumentesh, fshehje të të ardhurave dhe mospagim taksash e tatimesh.

Dërguan 500 persona në Gjermani, dyshohet se falsifikuan edhe kontrata punësimi