Liderët e Ballkanit urojnë Biden, Vuçiç e fton të vizitojë Serbinë

Betimi i Joe Biden si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka sjellë edhe reagimet e politikës në Ballkan.

Përmes postimeve në rrjetet sociale krerët e politikës në vend kanë uruar kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa shprehen të bindur se administrata Biden do ta vijojë marrëdhënien e mirë me rajonin.

Për presidentin Ilir Meta, marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen më tej, ndërsa së bashku forcojmë bashkëpunimin transatlantik dhe në NATO.

Ilir MetaUrimet më të sinqerta, të miat dhe të popullit shqiptar, për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.T.Z. Joe Biden dhe Zëvendëspresidenten, Sh.S.Znj. Kamala Harris.Jemi të bindur se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen më tej, ndërsa së bashku forcojmë bashkëpunimin transatlantik dhe në NATO.Shqipëria do vijojë të mbështetet në partneritetin strategjik me SHBA, si garanci jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe në çështje të rëndësishme globale.Ndërsa ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha potencon se Biden është një mik i konfirmuar i shqiptarëve.

Edhe ushtruesja në detyrë, Vjosa Osmani, shkruan se në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden.

Vjosa Osmani: Në cilësinë e u.d. Presidentes, i uroj mbarësi në postin e presidentit të SHBA-ve, me besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se demokracia e këtij shteti do të vazhdojë të jetë referencë për gjithë globin.Amerika është sinonim i demokracisë dhe promovimit të vlerave. Raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-të, janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale.Zoti e bekoftë miqësinë e perhershme me Amerikën!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nga ana tjetër e ftoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që ta vizitojë Serbinë.

Në urimin e tij drejtuar Bidenit, pas inaugurimit të tij si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Vuçiç kujtoi se, këtë vit shënohet 140 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Aleksandar Vuçiç: Deri më tani janë shënuar përvjetorë të rëndësishëm nga historia e përbashkët, duke kujtuar shembuj të aleancës mes dy vendeve në anën e së vërtetës dhe drejtësisë.

Këta shembuj, sipas tij, "ka qenë një nxitje për Serbinë, që të përpiqej t'i kthejë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin e një partneriteti të vërtetë, megjithë gjurmët nga kohërat e keqkuptimit dhe mosmarrëveshjeve".

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpreh besimin e plotë për vazhdimin e "marrëdhënieve të shkëlqyera" me SHBA-në si një partner strategjik.

 Stevo Pendarovski: Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik, i cili gjithmonë ka mbështetur demokracinë në vend dhe integrimin tonë euro-atlantik.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, e uroi presidentin amerikan me dëshirën për sukses në përmbushjen e detyrave të tij.

Milo Gjukanoviç: Dua t'ju siguroj se Malin e Zi do ta keni një mik të sinqertë, partner të besueshëm dhe një aleat të përgjegjshëm, në përballje me sfidat komplekse globale dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor", thuhet në urimin e presidentit Gjukanoviç.

Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Herzegovinës, Shefik Xhaferoviç, tha se inaugurimi i Bidenit ngjall shpresën "jo vetëm te kombi i madh amerikan, por te të gjithë njerëzit me qëllime të mira në të gjithë botën".

Ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviç, tha pas inaugurimit të Bidenit se i vjen mirë që "besimi për një dritë në fund të tunelit prap se prap triumfon atje".

Demokrati Joe Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris po ashtu bëri betimin si nënpresidente.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Si senator, Biden ka qenë aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe ka vizituar këtë rajon në disa raste.

Hera e fundit që Biden ka vizituar Kosovën dhe Serbinë, si zëvendës-president i Shteteve të Bashkuara, ka qenë në gusht të vitit 2016.