Biden pro-shqiptar? Kim Mehmeti: Shqiptarët euforik, nëse Kosova nuk bëhet shtet, nuk ka çfarë i bën as administrata e tij
Për botën mbarë shqiptare, inaugurimi i presidentit amerikan Biden është pritur me optimizëm dhe shpresë të madhe, kryesisht në raport me Kosovën.
Analisti, Kim Mehmeti, thotë se pro-shqiptarizmin e Biden duhet ta shohim më gjakftohtë dhe të punojmë fort që administrata e tij të jetë e fokusuar drejt nesh.
Për Rtv Ora, Mehmeti nënëvizon se shtetet nuk ndërtojnë marrëdhënie përmes miqësive të njerëzve, por përmes koncepteve që kanë.
Ndaj ai thotë se duhet parë qëndrimi që do të ketë Amerika ndaj Ballkanit në terësi, për të kuptuar edhe orientimin ndaj shqiptarëve.
Mehmeti: Trumpi pas vetes la një Amerikë të përçarë, konfuze, nga ai flakadani i demokracisë dhe orientimit të gjithë botës ndaj saj, doli se edhe atje duhet mirëmbajtur se asgjë nuk është përgjithmonë. Nëse nuk di ti mirëmbash ndodhin çudira. Por sidoqoftë atje funksinojnë institucionet, nuk është në këto shtetet tona, nuk kanë ndërprerje në aktivitetin e vet. Nuk mund të ndodhë atje si te ne me shtete sezonale.
Administrata e Biden nuk do të fshijë çdo gjë që ka bërë administrata e Trump. Edhe pas kësaj deklarate fshihet se do të ketë diçka ndryshe ndaj Kosovës. Ne shqiptarët jemi nga pak euforik dhe tërë kohën shkruhet sesa Biden është i afërt me shqiptarët. Ne harrojmë se shtetet nuk ndërtojnë marrëdhënie përmes miqësive të njerëzve, sesa janë miq me njëri-tjetrin por përmes koncepteve që kanë.
Tani është e rëndësishme se çfarë qëndrimi do të ketë ndaj Ballkanit dhe nga ajo do të varet se çfarë orientimi do të ketë ndaj ne shqiptarëve. Nëse duam që administrata e Biden të jetë pro-shqiptare duhet të kontribuojmë të jetë e tillë. Nëse bëjmë një Kosovë që asesi nuk bëhet shtet, çfarë do të na bëjë administrata e Biden?
Intervista për gazetaren Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana