Navalny nuk ndalet, vazhdon akuzat kundër Putin

Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, vazhdon të denoncojë korrupsionin dhe abuzimin qeveritar me pushtetin nga ana e presidentit, Vladimir Putin, edhe tani që ndodhet nën arrest.

Të martën, bashkëpunëtorët e opozitarit publikuan një video të tij të regjistruar para arrestit, duke zbuluar një skandal që sipas 44-vjeçarit ka në qendër kreun e shtetit, Putin.

Një kompleks luksoz me vlerë rreth 1,35 miliardë dollarë që gjendet në brigjet e Detit të Zi, pretendohet se i përket presidentit dhe është paguar me para të padeklaruara.

Prona, sipas Navalny, mund të jetë financuar nga miliarderët rusë të naftës, ka një sipërfaqe 39 herë sa shteti i Monakos, dhe brenda ka një vilë me më shumë se 16 mijë metra hapësirë, me kazino, pishina dhe vreshta.

"Është, pa ekzagjerim, ndërtesa më sekrete dhe e mbrojtur në Rusi. Dhe nuk është vilë fshati por një qytet i tërë, si mbretëri. Ka mure të padepërtueshme, portin e vet, rojat, një kishë, një pikë kalimi, një zonë ku nuk lejohet fluturimi dhe një postë kufitare të vetën. Është një shtet brenda Rusisë, dhe në këtë shtet është një car i vetëm dhe i pazëvendësueshëm: Putini," tha ai.

Ekzistenca e kompleksit luksoz dhe lidhjet me Putinin u denoncuan për herë të parë në 2010-n në letrën që një biznesmen rus, tashmë azilant, vuri në dijeni kryeministrin, Dmitri Medvedev.

Pretendimet risillen në vëmendjen publike pak ditë pasi Navalny u arrestua në aeroportin e Moskës.

Ai i ka hedhur poshtë akuzat e autoriteteve për shpërdorim fondesh, ndërsa pretendon se në muajin gusht ishin autoritetet ruse që tentuan të eliminonin fizikisht nëpërmjet helmimit.

Më 2 shkurt, gjykata pritet të shqyrtojë çështjen e opozitarit dhe dënimin e tij me burg.