Italia aktivizon Avokatin e Shtetit kundër Pfizer, reduktoi vaksinat në shkelje të marrëveshjes

Italia ka aktivizuar Avokatin e Shtetit për nisjen e një aksioni legal kundër shtëpisë farmaceutike Pfizer e cila prej datës 18 janar ka vendosur të reduktojë furnizimin me dozat e vaksinës kundër Covid në kuotën e -29%.

Në vend të 470 mijë dozave që duhej të mbërrinin këtë javë, në Itali kanë mbërritur  vetëm 330 mijë doza, të cilat kanë vënë në vështirësi fushatën e vaksinimit. 

Për momentin Komisari i Jashtëzakonshëm për emergjencën shëndetësore kombëtare Domenico Arcuri ka deklaruar se do të garantojnë marrjen e dozave të dyta për të gjitha të vaksinuarit që kanë marrë dozën e parë e me dozat e mbetura do të mund të vaksionojnë persona të tjerë.

Vendimi për një aksion legal të Italisë kundër Pfizer është marrë gjatë një mbledhje të zhvilluar nga Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza me Ministrin e Politikave Rajonale Francesco Boccia e Komisarin e Jashtëzakonshëm të Eermgjencës Domenico Arcuri.

Marrëveshjen me Pfizer Biontech, Italia e ka nënshkruar në nivel europian me të gjithë vendet anëtare të BE. Në këtë marrëveshje janë parashikuar penalitete ndaj kompanisë farmaceutike në rast se ajo nuk garanton furnizmin e kutoës së përcaktuar në afat 3 mujor si dhe kur mungon shpërndarja homogjene e vaksinës në nivel territorial. 

Sipas marrëveshjes Italia brenda tremujorit të parë të vitit 2021 duhet të marrë rreth 8 milionë e 749 mijë doza vaksinë e në rast se ky numër nuk arrihet, Pfizer Biotench do të ndëshkohet penalisht për mosrespektim të marrëveshjes.

Gjithashtu vetëm pak ditë nga reduktimi i dozave kompania farmaceutike nuk po respekton shpërndarjen homogjene të saj në nivel kombëtar në Itali. Disa rajone italiane kanë marrë një furnizim të rregullt me dozat e vaksinës e në disa rajone të tjera është reduktuar në 50% furnizimi i tyre.

Mbi ç'ka po ndodh, grupi i punës pranë Komisarit të Jashtëzakonshëm të Emergjencave Domenico Arcuri ka përgatitur një dosje të plotë, duke e vënë në dispozicion të Avokatisë së Shtetit.

Kompania Pfizer Biontech ka informuar reduktimin e furnizimit të dozave të vaksinës për motivin e zgjerimit të impiantit të prodhimit të tyre në Belgjikë,

"Mbrojtja e shëndetit të italianëve duhet të jetë e garantuar e nuk është një çështje e negociueshme" ka deklaruar Komisari i Emergjencës Shëndetësore Domenico Arcuri.