Afrika e Jugut nuk ka nisur akoma vaksinimin kundër Covid-19
Më shumë se një e treta e të gjitha rasteve Covid-19 në Afrikë kanë qenë në Afrikën e Jugut dhe numrat po rriten me shfaqjen e një varianti të ri të virusit.
Por ndryshe nga vendet e tjera të goditura në botë, Afrika e Jugut ende nuk ka nisur fushatën e saj të vaksinimit.
Presidenti Cyril Ramaphosa tha se Afrika e Jugut deri më tani ka siguruar 20 milion doza që do të dorëzohen në gjysmën e parë të 2021, por nuk ka një afat të detajuar kohor që synon të vaksinojë deri në 40 milion njerëz.
Afrika e Jugut pret të marrë doza për rreth 10% të popullsisë nga Covax dhe i është thënë se do t'i marrë ato nga prilli në qershor.
Gjithashtu pret të marrë 1 milion dozat e para nga Oxford-AstraZeneca këtë muaj, dhe pjesën tjetër në shkurt.
Në këtë situatë, ekziston shqetësimi se shumë vende të varfra , më pak të zhvilluara po lihen prapa në garën globale për të siguruar furnizime të vaksinave, shkruan BBC.
Sidoqoftë, kritikët sugjerojnë që Afrika e Jugut, si vendi më i pasur në Afrikë nuk duhet të jetë në këtë pozicion.
"Realiteti është se Afrika e Jugut nuk ka as furnizim të sigurt me vaksina dhe as një plan për vaksinimin masiv në një të ardhme për të pasur situatën në kontroll," tha Forumi Shëndetësor Progresiv.
Aleanca Demokratike e opozitës i ka bërë thirrje qeverisë të japë detaje të plota të negociatave të saj me furnizuesit e vaksinave, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë.