Nis vaksinimi për Covid, 300 milionë indianë pritet të vaksinohen brenda muajit korrik

300 milionë indianë po presin të vaksinohen brenda verës. Fushata filloi të shtunën me gati 300 mijë prej tyre, me vaksinat e prodhuara në bashkëpunim ose tërësisht nga kompanitë vendëse.

Një total prej 40 milionë njerëzish apo rreth 2 milionë e gjysmë përditë po vaksinohen kundër koronavirusit në shtete të ndryshme të botës.

India u bë vendi më i ri që nisi të shtunën fushatën masive të imunizimit të popullatës nga virusi, i cili deri tani u ka marrë jetën mbi 150 mijë qytetarëve dhe vazhdon të infektojë të tjerë.

Të parët gjatë ditës morën vaksinat e prodhuara brenda vendit, të cilat janë kritikuar pasi nuk i kanë kaluar të gjitha fazat e testimit.

"Kemi shpresë së vaksinat do të jenë efikase kundër kovidit. Duhet të shpresojmë dhe t'i shohim pozitivsht."

"Natyrisht, po të zgjidhja, do bëja vaksinën e konfirmuar, nga Covishield apo Pfizer, të cilat kanë publikuar të dhënat nga faza e tretë e provave klinike."

Nga 1 miliard e 300 milionë banorë që ka India, një e katërta synohet të vaksinohen brenda korrikut.

Kryeministri indian, Narendra Modi, ftoi qytetarët t'i nënshtrohen vaksinimit dhe të kenë besim se ato janë të sigurta, por edhe të mos i neglizhojnë masat për pandeminë.

"Bashkëqytetarëve të mi u them se ka shumë rëndësi që t'i marrin të dyja dozat e vaksinës korona. Mos e harroni asnjëherë dozën e dytë, mos e ulni vigjilencën pas dozës së parë, mos e ulni maskën, mos e harroni distancën sociale."

Në nivel botëror, Izraeli vazhdon të kryesojë listën e vendeve me më shumë të vaksinuar për banor, gati 25 për çdo 100 banorë, sa pesëfishi i Britanisë dhe sa 25-fishi i Gjermanisë.

Por vaksinat konsiderohen luks për vendet si Brazili, ku pandemia e ka futur në krizë tërë sistemin shëndetësor.

Banorët në zonat veriore të Amazonës po kërkojnë vetë me bombola oksigjeni pasi spitalet nuk po u shërbejnë dot.

"Është për gjyshen time. Bombolën tjetër e kishte drejt fundit dhe po ia mbush tani. Nuk e di sa do zgjatë këtu por besoj se do e arrij."

"I afërmi im ka nevojë për oksigjen. E dimë që këtu mbushen bombolat sepse qeveria ka konfiskuar të gjitha burimet e prodhimit të gazit. Një bombolë do i vlejë një javë personit."

Brazili ka regjistruar më shumë se 200 mijë të vdekur nga kovidi-19, bilanci e dytë më të rëndë pas Amerikës.