Netanyahu akuzohet për mashtrim dhe pranimin e tre ryshfeteve, kërkohet dorëheqja
Pavarësisht të ftohtit, protestat javore vazhduan të shtunën në Jerusalem kundër kryeministrit izraelit Benyamin Netanyahu të cilit i kërkohet dorëheqja në lidhje me akuzat e korrupsionit. Demonstruesit u mblodhën në një shesh pranë rezidencës zyrtare të Netanyahut. Për shtatë muaj protestuesit kanë kërkuar largimin e kryeministrit.
Ai akuzohet për mashtrim, cenim të besimit publik dhe pranim të ryshfetit në tre raste ku përfshihen bashkëpunëtorë të miliarderëve dhe manjatë të mediave.
Deri tani zoti Netanyahu i ka mohuar akuzat.
Gjyqi ndaj tij do të fillojë muajin tjetër me paraqitjen e provave nga prokuroria, por demonstruesit thonë se ai nuk mund ta drejtojë vendin siç duhet ndërsa ndodhet në bankën e të akuzuarve për korrupsion.
Ata gjithashtu pretendojnë se Netanyahu dhe qeveria e tij kanë keqmenaxhuar pandeminë e koronavirusit.
Ekonomia e Izraelit është goditur rëndë nga kufizimet në fuqi për të penguar përhapjen e virusit. Sërish tani është vendosur një izolim i pjesshëm për shkak të niveleve të larta të infektimeve.
Në mars, Izraeli do të mbajë zgjedhjet e katërta parlamentare në dy vjet.
Vëzhguesit thonë se ka të ngjarë që votimi të kthehet në një referendum kundër Netanyahu-ut i cili ndeshet edhe me largime masive nga partia e tij Likud. Netanyahu dhe aleatët e tij kanë përdorur vaksinimin në Izrael si kalë beteje, pasi vendi ka normën më të lartë të të vaksinuarve në botë kudër Covid-19.