Zgjedhjet në Kosovë, Andoni: LDK do të ketë bjerrje, numrat që proklamon Kurti, të pa arritshëm

Kosova ndodhet para zgjedhjeve të radhës parlamentare. Analisti Ben Andoni thotë se në mjedisin politik nuk ka riciklim të madh.

Andoni: Kurti quhet i ri por nuk është i ri në politikë. Sfida e Kurtit është për të treguar sa ka mësuar nga qeverisja e pakët që i bëri Kosovës ndërsa Osmani për të treguar sa do të ketë fuqi shtetare. Osmani deri tani më shumë është treguar politikane e zonja sesa shtetare e mirë. Ndërsa Kurti ka premisa shumë të mëdha  pas atij zhgënjimi shumë të madh në Kosovë. Gjithësesi numrat që ai proklamon me njerëzit e tij janë të paarritshëm.

I pyetur nëse ky moment shënon mbylljen e ciklit të partive tradicionale, ai shprehet:

Andoni: Jo. Kosova ende është e ndarë me pjesën krahinore, klanore. Është shumë e vështirë për ti ndryshuar.

I ftuar në Rtv Ora, Andoni parashikon një tkurrje të madhe të LDK në këto zgjedhje dhe kjo jo vetëm për shkak të largimit të zonjës Osmani.

Andoni: Besoj që do të ketë bjerrje por jo thjesht prej kalimit të Vjosa Osmanit. Përveç faktit që zoti Hoti drejtoi teknikisht mirë, LDK e kanë goditur shumë në muajt pas zgjedhjeve përçarjet e brendshme. Realisht LDK do ta shikojmë në momentet kur Isa Mustafa nuk do të jetë më pjesë e kësaj partie. Ka përfunduar cikli i tij, përveç pjesës së traditës dhe zotësisë së makinacioneve që ai drejtuar si pak kush në Kosovë nuk ka asnjë vlerë tjetër.

Ndërsa të gjithë presin fitoren e Kurtit, Andoni thotë se të gjithë personazhet e para të partive janë konsumuar dhe në njëfarë mënyre duan të tërheqin në qerthullin e tyre.

Andoni: Të gjithë janë konsumuar personazhet e para të partive dhe në njëfarë mënyre duan të tërheqin në qerthullin e tyre edhe zotin Kurti. Kurti ua dha një sinjal me zgjedhjet e shkuara. Mënyra si e radikalizoi qeverisjen, mënyra e qëndrimit të tij e veçoi Kosovën.

Por ndërsa fituesi i zgjedhjeve është paraparë, sfida më e madhe mbetet zgjedhja e Presidentit.

Andoni: Këtë here Presidenti do të jetë i vështirë dhe nuk e përjashtoj zgjidhjen e bërë si në rastin e  zonjës Atifete  Jahjaga. Nuk besoj se do të jetë personazh politik.

Intervista me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti  Besjana Kuçana