Nuk ka dakordësi për zonat ku do të pilotohet votimi dhe numërimi elektronik

PD dhe PS ende nuk kanë gjetur dakordësinë për zonat se ku do të pilotohet votimin dhe numërimi elektronik.

Gjatë takimit konsultativ këtë të mërkurë, 13 janar, me Komisionerin Shtetëror, Ilirjan Celibashi,  partitë politike kanë rënë dakord që kjo çështje të vendoset gjatë takimit të ardhshëm.

Ndërsa identifikimi biometrik do të varet nga Smartmatic, nësë kjo kompani i plotëson kushtet apo jo.

Komisioni i Vlerësimit ende nuk e ka dhënë vendimin për Smartmatic, kompania e vetme që mund të realizojë identifikimin biometrik, kërkesë kjo e PD-së.

Pas takimit, Komisioneri Shtetëror Celibashi në një postim në twitter, shkruan se  bashkëpunimi i KQZ-së me partitë politike  është prioritet kryesor në funksion të mbarëvajtjes së përgatitjeve dhe administrimit të procesit zgjedhor.

"Në takimin e punës që zhvilluam sot diskutuam mbi projektet e identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimit dhe numërimit elektronik, monitorimi me kamera i Qendrave të Votimit dhe votimi nga jashtë i shtetasve shqiptarë që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë Shqipërisë. Bashkëpunimi i KQZ-së me partitë politike, prioritet kryesor në funksion të mbarëvajtjes së përgatitjeve dhe administrimit të procesit zgjedhor".