Demokratët kërkojnë shkarkimin e presidentit Trump, e akuzojnë për nxitje të kryengritjeve

Demokratët në Kongresin amerikan kërkuan për herë të dytë shkarkimin e presidentit Donald Tramp. Aty paraqitën akuzën e nxitjes së kryengritjes ndaj presidentit në detyre, pas skenave të dhunës që simpatizantët e tij shpalosën javën e kaluar në selinë e Kongresit.

Ligjvënësit demokratë paraqitën zyrtarisht akuzën e nxitjes së kryengritjes dhe kërkuan për herë të dytë shkarkimin e presidentit në ikje, Donald Tramp.

Me anë të një rezolute, shumica demokrate në Kongres i kërkoi zv./presidentit, Majk Pens, të marrë provizorisht pushtetin deri në betimin e presidentit të zgjedhur, Xho Bajden, pas 10 ditësh. Rezoluta e paraqitur nga demokratët do të votohet më vonë gjatë javës.

Zv./presidenti pritet të refuzojë, por mbi 200 ligjvënës, edhe republikanë, janë përgatitur të bashkojnë votat për ta proceduar presidentin Tramp sipas kushtetutës.

"Rezoluta 21, i bën thirrje zv.presidentit Michael R. Pence të mbledhë kabinetin dhe të aktivizojë nenin 25 të Kushtetutës për ta shpallur presidentit Donald J. Trump të pazotë për të ushtruar detyrën dhe të marrë menjëherë përkohësisht rolin e tij."

Vota kundër e një republikani bëri që rezoluta të mos kalojë me 100 për qind të anëtarëve të Dhomës së Ulët dhe tani duhet të kalojë për debat dhe votim.

Nëse propozimi mbështetet, kjo do të jetë hera e dytë që presidenti Tramp i nënshtrohet procedimit penal.

Vitin e kaluar ai rrezikoi shkarkimin me akuzën se abuzoi me pushtetin dhe pengoi hetimet për skandalin e Ukrainës, ndërsa këtë herë akuzohet se nxiti dhunën në protestën e 6 janarit në Kongresin amerikan.

Ligjvënës të tjerë nga të dy krahët druajnë se një proces i ri ndaj presidentit do të ngadalësonte konfirmimin e anëtarëve të kabinetit Biden.

Publiku vendës ndërkohë ka opinione të ndryshme mbi çështjen.

"Unë e mbështet plotësisht procesin e shkarkimit të presidentit. Nuk ka dyshime për atë që ndodhi, për mesazhet që ka përcjellë për katër vite. Ai duhet të mbajë përgjegjësi."

"Jemi afër fundit të administratës së tij. Për interesat e vendit, mendoj se do të ishte më mirë të largohej me pëlqimin e vet, të dorëhiqej. Nuk ka kohë për procedimin penal."

"Kam frikë se po të procedohej, do shihej si njëfarë ndëshkimi, dhe do e zhvendoste vëmendjen në anën e gabuar. Do të më pëlqente që Bajdeni të tregohej më i matur dhe ta kalonte këtë."

Një ditë më parë, oficerët e policisë së Uashingtonit i bënë nderimet ish-kolegut të tyre, Brajan Siknik, i cili mbeti i vrarë më 6 janar kur turma e revoltuar me mbështetës të presidentit Tramp, vërshoi dhe pushtoi për disa momente godinën e Kongresit amerikan.

Përplasjet dhe dhuna që pasoi brenda Kapitolit u morën jetën gjithsej pesë personave.