Me borën vijnë edhe problemet e vjetra në Shqipëri

Reshjet e dëborës e shiut kanë shkaktuar probleme me qarkullimin në rrugë dhe energjinë elektrike në veri të vendit. Ndërsa në juglindje, bora mbushi sërish me pushues fshatrat turistik të Korçës.

Reshjet e dëborës dhe shiut kanë shkaktuar probleme në veri e verilindje.

Dëbora ka mbuluar fshatrat nga Razma deri në Vermosh .

Thethi mbetet gati izoluar për shkak se trashësia e dëborës arrin deri në një metër në disa zona.

Nga Qafë Thorë deri në brendësi të fshatit mund të lëvizin vetëm makinat e larta.

Boga prej gati një jave ka mungesë të energjisë elektrike, sikurse në Vermosh dhe Lëpushë.

Në qarkun e Kukësit reshjet e dëborës e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash e gurësh në rrugë.

Më problematike situata raportohet në aksin Bajram Curri -Valbonë, ndërsa akset kombëtare raportohen të kalueshëm.

Reshjet e dëborës u rikthyen në juglindje.

Me intensitet të lartë ishin në Dardhë, ku arritën deri në 20 cm trashësi, e gjatë natës rruga u bllokua.

Të hënën akset ishin të gjitha të kalueshme pa zinxhirë, çka bëri që shumë qytetarë ti drejtoheshin fshatrave turistikë të Korçës.

Në pjesën tjetër të vendit, pati reshje shiu e temperatura të ulëta.