"Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve", Meta vlerëson figurën e kongresmenit Eliot Engel
Presidenti i Republikës Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale, vlerëson figurën dhe kontributin në çështjen shqiptare të Eliot Engel, kongresmenit amerikan që pas 30 vjetësh largohet nga ky post.
Sipas kreut të shtetit, Engel është avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Komngresin Amerikan, ky mban postin e Kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, shkruan Ora News.
Ilir Meta: Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike.
Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.
Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.


Kongresmeni amerikan dhe miku i shqiptarëve, Eliot Engel u rizgjodh pa kundërshtarë në Dhomën e Përfaqësuesve në nëntorin e vitit 2018.
Ai u rizgjodh si përfaqësues i distriktit të 16 kongresional të New York-ut, që përfshin pjesë të Bronx dhe kontesë Westchester.
Engel ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe Kosovën dhe nuk ka humbur asnjëherë rastin të shprehë afrimitetin e tij me shqiptarët.
Në mënyrë të veçantë, ai ka punuar jo pak për Pavarësinë e Kosovës, e siç shkruante edhe “Washington Post” vite më parë, kauza e Kosovës është mbajtur gjallë në Washington falë përpjekjeve të kongresmenit Engel.
Ai ka luftuar spastrimin etnik në Kosovë në vitin ’99 dhe ka lobuar në Kongres për pavarësinë e saj.
Një rrugë mban emrin e tij në qytetin e Pejës, ndërsa ai ka qenë i pari zyrtar i lartë i huaj që ka folur në Parlamentin e Kosovës.
Lexo edhe:
/a.r,OraNews