Rama akuza Metës nga Vlora: Po bllokon projektet infrastrukturore
Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës që kreu në Vlorë akuzoi presidentin Ilir Meta se bllokoi një pjesë të investimeve të projektit të ri të infrastrukturës turistike.
Projekti parashikohet të lidhë Ujin e Ftohtë me Radhimën e Orikumin, me rrugën ekzistuese të cilës do t'i shtohet edhe korsia e biçikletave, bashkë elementë të rinj të mobilimit urban.
Sipas shefit të qeverisë, qysh nga fillimi i nëntorit që presim plotfuqinë për një autorizim formal nga presidenti pasi kemi bërë gjithë negociatën me fondin Saudit.
Rama shtoi se pa aprovimin e Metës, projekti nuk mund të realizohet, shkruan Ora News.
Edi Rama: “Nuk kemi dashur të bëjmë debat publik të politizuar për këtë por është fakt që qysh nga fillimi i nëntorit që presim plotfuqinë për një autorizim formal nga presidenti pasi kemi bërë gjithë negociatën me fondin Saudit dhe faktikisht është bllokim total sepse në momentin që nuk i jepet plotfuqia ne nuk e realizojmë dot.
Është një fond i konsiderueshëm për të zhvilluar projektin në dy drejtime. E para gjithë rehabilitimin dhe sistemimin e kësja rruge që është deri poshtë në Rradhimë dhe pastaj në Orikum plus rrugën tjetër sepse pjesën e Rradhimës e kemi premtuar me kohë sepse do ta bëjmë duke futur elementë të lungomares”.
Rama inspektoi punimet në lungomare në Vlorë ndërsa ka nisur dhe rindërtimi i sheshit të Flamurit.
Reagon Presidenca
Ndaj akuzave të Ramës ka reaguar zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi, përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se presidenti Meta ka kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.
“Pas inskenimeve dhe deklaratave të papërgjegjshme, të bëra sot në Vlorë, nga Kryeministri ende në detyrë, për nevoja të propagandës së tij elektorale, jemi të detyruar të bëjmë publik qëndrimin zyrtar të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Nga kjo letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, evidentohet qartë se Presidenti Meta në mënyrë të përsëritur ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë".
Sipas Zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi është tashmë e qartë se, Kryeministri synon që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim që këtë model antikushtetutshmërie ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme që Qeveria ka në proces.