Speciale e Rtv Ora/ 10 muaj pandemi, mjekët dhe infermierët tregojnë përjetimet e tyre

9 marsi do të sillte një normalitet të ri për të gjithë ne. Koronavirusi i frikshëm mbërriti në Shqipëri. Babë e bir ishin pacientët zero, të cilët kishin mbërritur nga Italia disa ditë më parë.

Mes qytetarëve kishte panik, pasiguri, por edhe mosbesim për ekzistencën e virusit.

 Spitali Infektiv priti pacientët e parë.

Zona u kthye në karantinë, dhe askush veç personave të autorizuar nuk lejohej të kalonte gardhin.

Ministria e Shëndetësisë vendosi mbylljen e shkollave dhe  më pas edhe pezullimin e lëvizjeve, aktiviteteve dhe bizneseve.

Rrugët e zbrazura të qyteteve tregonin rrezikun që vinte prej virusit. Vendi ishte në karantinë.

Për të dalë duhej të pajiseshe me leje ndërsa  ballkonet dhe dritaret e shtëpive u kthyen në hapësirat e vetme ku qytetarët mund të kishin kontakt me natyrën.

Ndonëse për një pjesë ishte pezulluar puna, ose punohej me orar të kufizuar, mjekët  ishin në krye të detyrës.

Ata të  Spitalit  infektivit ishin të parët që u vendosën përballë virusit. Covidi ishte ende i panjohur për ne, thotë doktor Pipero, megjithëse kishin kohë që e prisnin.

"Kishte pasiguri, paqartësi, ankth dhe frikë. Fakti që në 9 mars u gdhimë me dy pacientë të shtruar në Infektiv nuk ishte befasi e madhe por ishte dita e parë e përballjes reale me Covid 19."

Frika për një moment kaploi edhe vetë ata ku qytetarët e thjeshtë kishin besim, por mjekët nuk u dorëzuan kurrë.

"Momenti më i vështirë është kur qytetari pacient bëhet mirë 3-4 ditët e para apo javën e parë dhe befas pas 3-4 ditësh të vjen një telefonatë nga ai, ku të thotë kam teperaturë. Kur e thotë këtë, ne nuk na zë më gjumi."

Teksa rastet ditore në javën e parë të pandemisë nuk dukeshin shqetësuese, në 11 mars u shënua viktima e parë në vend.

Për mjekët kjo tregoi se Shqipëria nuk ishte aspak e mbrojtur prej Covid 19.

"Pati shumë diskutime për rastin e parë, ende nuk e dimë kush ishte rasti zero. Kishte dhe ka ende shumë paqartësi Covid 19. Ndërkohë që humbja e parë e jetës ishte një përjetim jo i zakonshëm për ne. Kjo është një sëmundje që ka jo vetëm shumë të papritura por ka një dinamikë jashtëzakonisht të vështirë shëndetësore."

Muaji i parë i pandemisë ishte i qëndrueshëm, marsi u mbyll me 13 humbje jete dhe 243 raste të reja.

Megjithatë, në 29 mars Ministria e Shëndetësisë vendosi të hapë për rreth 2 muaj edhe spitalin Covid 2.

 Te muajt e tjerë që pasuan, pandemia pësoi një rritje, qoftë me numrin e fataliteteve, qoftë me rastet e reja ditore.

Muajt e verës duket se do të ishin sfiduese për shëndetësinë, pasi në këto muaj shifrat u rritën dhe  lindi edhe nevoja e rihapjes së Spitalit Covid 2.

Virusi nuk kurseu asnjë, mes të infektuarve po raportoheshin edhe mjekë. Disa nga pakujdesia e pacientëve, e të tjerë as vetë nuk e dinë se nga.

Qendra Shëndetësore 9 dhe e Specialiteve 2, ishte institucioni i parë i këtij niveli që u prek nga Covid, shkak dyshohet se ishin pacientët.

Drejtuesja e këtij institucioni, Alketa Mici, tregon momentin e parë të kësaj situate, ku nuk mungoi as pasiguria e stafit.

"Ka pasur dhe raste, por kanë qenë momente dobësie nga ana e stafit. Edhe vetë thellë brenda vetes jam ndjerë pak e dobët, jam ndjerë në dyshime. Edhe ne njerëz jemi."

Infektimi mes mjekëve ndikoi edhe te të afërmit e tyre.

Vajza ime, tregon Alketa, u ndje  e diskriminuar nga kolegët e saj.

"Mbaj mend që më mori goca në telefon dhe më tha: Mua këta po më ndjekin nga puna. I thashë nuk ka gjë, shko në shtëpi dhe mami do të bëjë tamponin.Kur të marr përgjigjen ti do të dalësh."

Në ambientete e spitaleve, mjekët u bënë pacientë, e disa prej tyre shërbyen edhe me rrobat e të sëmurit.

"Jo vetëm, janë trajtuar por edhe kanë kontribuar krahas nesh, duke qenë në kushte spitali dhe shtëpie. Një prej tyre është doktor Xhaxho, e kishim të shtruar aty dhe këshilloheshim me të për rastet konkrete."

Fatkeqësisht edhe mantelbardhët u goditën në këtë luftë,  25 mjekë nuk e fituan dot betejën me Covidin.  Dhimbja e këtyre humbjeve nuk fshihet dot nga kolegët.

"Të gjitha dhimbjet e kolegëve janë të rënda por do të mbetet gjatë në kujtesë humbja e fundit të doktor Drinit. Ai ishte një përjashtim midis nesh, ishte një mik i rrallë, një mjek i rrallë dhe një njeri i rrallë. Kujtoj takimin e fundit me të në Reanimacionin e Spitalit Infektiv që ishte plot optimizëm, më tha do ta kaloj".

Por a ka momente të bukura  mes mjekëve brenda spitaleve Covid?

"Momentet më të bukura brenda spitalit janë kur një i sëmurë shërohet dhe del nga spitali."

Megjithëse mund të jetë e vështirë, por disa mjekë pacientë kanë pasur edhe të afërmit e tyre.

"Edhe tim bir e kam trajtuar vetë, por edhe vëllain, mbesën, nusen e vëllait dhe të tjerë familjarë që nuk kanë qenë të paktë i kam trajtuar njëlloj siç kam trajtuar çdo qytetar tjetër, me shumë përgjegjësi dhe shumë dashuri. Por kur e ke në shtëpi e përjeton ndryshe".

Në 10 muaj pandemi, mjekët thuajse kanë harruar të pushojnë, duke neglizhuar ndonjëherë edhe shëndetin e tyre.

Doktoreshë Silvana Bala pas 10 muajsh shërbim në spitalin "Shefqet Ndroqi", u infektua nga Covid.

“Shpëtova mijëra jetë, por veten e harrova.  Kam punuar 10 muaj pa asnjë ditë pushim, kam mbajtur 210 pacientë nën kontroll ditor. Jam për trajtim për shkak të covid” ishte përgjigjia që Silvana Bala i dha Rtv Ora kur e ftuam për intervistë.

Tetori dhe nëntori shënuan pikun e pandemisë, aq sa spitalet thuajse kaluan në kolaps.

Ambulancat prisnin në radhë për tu akomoduar pacientët që kanë transportuar.

Kjo gjendje shtoi shqetësimin e familjarëve të pacientëve.

Covidi na vendosi në vështirësi dhe përballë pasigurisë, prej tij të gjithë mësuam të duam jetën.

Ky vit u mbyll me 58,316 të infektuar me Covid dhe 1181 humbje jete. Një vit i vështirë ishte për të gjithë 2020, ndërsa pritja e të riut erdhi ndryshe.

Një festë brenda familjeve të vogla por me dashuri të madhe. Ndërsa fishekzjarret e 2021 u panë vetëm përmes ekraneve televizive apo ballkoneve.

Lutjet dhe dëshirat i dedikohen shëndetit me shpresën se fundviti i 2021 do të jetë më i gëzueshëm.