Versioni i ri i Covid, mjeku shqiptar në Londër tregon nëse është më agresiv dhe a ndikon vaksinën

Mutacioni që ka pësuar Covid 19 në Britani ka alarmuar botën për shkak të përhapjes së shpejtë. Shumë vende të Europës përfshirë dhe vendin tonë kanë mbyllur kufijtë me Britaninë e Madhe ndërkohë që në Itali është shfaqur rasti i parë me koronavirusin e ri.

Në një lidhje direkte nga Skype për Ora News, mjeku  shqiptar në Londër Sali Urovi tha është e vërtet që ky  mutacion ka bërë që COVID 19 të jetë më i transmetueshëm te njerëzit por nuk ka fakte klinike se është më agresiv.

Sali Urovi për Ora News: Kjo nuk është diçka e re për virusin. Ne e njohim këtë fenomen, është një fenomen biologjik natyral i çdo virusi. Fakti që u bë publik për mediet dhe opinionin ishte se ky  lloj mutacioni shkaktoi një shkallë më të lartë infektimi nga virusi seç ishte më përpara. Pra ka aftësi që të transmetohet më shpejtë të njerëzit. Deri tani nuk kemi  fakte klinike për të thënë që është më agresiv. Unë do thoja të kundërtën, në bazë të të dhënave që kemi deri tani pavarësisht numrit të madh të infektimeve ne në spital shohim një numër konstant  jo një rritje ose vërshim të pacientëve.

Një nga çështjet më shqetësuese në lidhje me koronavirusin e ri ka qenë nëse interferon   vaksinën duke ndikuar në efektivitetin e saj. Mjeku tha fakti që ka pësuar mutacion nuk ndryshon totalisht efektin e vaksinës.

Sali Urovi për Ora News : Vaksina ka një mekanizëm që krijon në momentin që injektohet te personat krijon atë tip reaksioni që sulmon infeksionin viral dhe krijon antikorpet. Ky është mekanizmi pastaj që krijon mbrojtjen nga virusi. Fakti që ka pësuar mutacion nuk ndryshon totalisht efektin e vaksinës.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online E.P