GJKKO publikon bilancin e 2020, u konfiskuan 11 pasuri, pandemia ka vështirësuar punën

Operacioni Forca e Ligjit i nisur në janarin e këtij viti po mbyllet me vetëm 11 pasuri të konfiskuara që kanë kaluar në emër të shtetit.

Shifrat janë bërë publike nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin në bilancin e punës për vitin 2020. Aty bien në sy edhe të dhënat që lidhen e aktin normativ të OFL dhe numri i vendimeve të konfiskimi ndaj vetëm 11 pasurive.

Në raportin përmbledhës të veprimtarisë vjetore të institucionit, thuhet se gjatë këtij viti janë shqyrtuar e pranuar 115 kërkesa për sekuestrim pasurie sipas Aktit Normativ që hyri në fuqi më 31 janar 2020. Bazuar në këtë akt, gjykata thotë se ka shqyrtuar e pranuar 6 kërkesa për masa  parandaluese personale sipas Aktit Normativ.

Në lidhje me hetimet ndaj pasurive të skeduara nga policia gjatë operacionit Forca e Ligjit, gjykata thotë se janë përfunduar 11 kërkesa për konfiskim që kanë të bëjnë me 11 pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Togat e zeza theksojnë se kanë në shqyrtim e sipër 49 kërkesa për konfiskim pasurie për të cilat vazhdon gjykimi pasi vendimmarrja nuk është finalizuar ende.

Gjykata në analizën e saj vë në dukje faktin se pandemia e Covid 19 ka kushtëzuar e vështirësuar punën gjatë vitit 2020 e megjithatë fluksi i punës është përballuar pasi veç të tjerash janë caktuar masa sigurimi për 124 persona të dyshuar, janë gjykuar 110 të pandehur nga të cilët 84 të akuzuar për krim të organizuar dhe 27 të tjerë për vepra penale të korrupsionit.

Në analizën e punës, gjykata vë theksin edhe tek fakti se gjatë vitit 2020 ka kryer aktivitetin e saj me organikë të paplotësuar.

Sipas GJKKO, për vitin që vjen është shumë e rëndësishme  plotësimi i vendeve vakante  dhe me 7 gjyqtarë të tjerë, proces i cili ka filluar gjatë vitit 2020  me hapjen e vendeve 5 vendeve vakante për të cilat janë marrë aplikimet e para.