BOOM - Çmimet nuk u rritën për festa, flasin tregtarët: Jemi përtokë, s'ka bërë vaki më parë

Në fundvit tradita e kërkon që tavolina të shtrohet plot e përplot me produkte tradicionale duke bërë gëzuar për një vit më të mbarë.

Emisioni "Boom" ka bërë monitorim në tregje më datë 20 dhjetor, e më pas edhe në datën 30 dhjetor, për të parë nëse çmimet do të rriteshin. Ashtu siç ndodh çdo vit. Pamë që në fakt çmimet nuk u rritën.

Simboli i festës është gjeli i detit. Fermerët prej muajsh i rrisin, duke shpresuar që fundviti t'u sjellë të ardhura. Për kamerën e "BOOM" ata shprehen se ky ishte një vit i zymtë, pasi qytetarët blenë më pak.

Tregtarët në mes shiut thonë se edhe pse me mund për t'i rritur gjelat, nuk kanë mundur të shesin. Një zonjë thotë se kurrë nuk ka qenë në këtë gjendje.

"Nuk ka blerës fare. Kemi mbaruar fare, ne të fshatit jemi përtokë. Kam nxjerrë sot 10 gjela dhe kam shitur vetëm një rikë. Si sivjet nuk ka bërë vaki asnjëherë, kurrë në botë. Njerëzit nuk kanë lekë, e çuan popullin përtokë fare", shprehet njëra prej tregtareve.

Një tregtar kishte disa gjela në bagazhin e makinës edhe pse kishte dalë që herët në mëngjes, nuk kishte shitur asnjë të vetëm.