Covid-19 drejt neutralizimit, BE shpërndan vaksinat

Vendet e Bashkimit Europian nisën të dielën fushatën e koordinuar të vaksinimit ndaj Covid-19.

E para që e mori dozën e vaksinës Pfizer-BioNTech në Itali ishte një infermiere 29-vjeçare në spitalin e sëmundjeve infektive Spalanxani, në kryeqytet.

Rreth 470 mijë doza të tjera synohet t'u shpërndahen rajoneve të tjera të vendit çdo javë.

"Sot Italia rizgjohet. Kjo datë do na mbetet kujtim përgjithmonë. Po e nisim vaksinimin me operatorët shëndetësorë dhe me grupet më të rrezikuara, pastaj do e zgjerojmë me qytetarët që ta mposhtim përfundimisht këtë virus," shkroi kryeministri i vendit, Xhuzepe Konte.

Rreth 350 mijë njerëz kanë humbur jetën në betejën me koronavirusin e ri në 27 shtetet e BE-së, me viktimën e parë të regjistruar në Francë më 15 shkurt.

Në Poloni, muaji nëntor rezultoi me më shumë të vdekur që nga Lufta e Dytë Botërore.

Vaksinimi nisi të dielën edhe atje, njësoj si në Francë e në Çeki ku të moshuar e staf mjekësor përveshën krahët për t'u imunizuar nga sëmundja më vdekjeprurëse e këtij shekulli.

"Sot po kthejmë faqen e një viti të vështirë. Ditët e vaksinimit janë një moment uniteti dhe plani më afatgjatë për të dalë nga pandemia," deklaroi edhe presidentja e Komisionit Europian.

Gjermania, Hungaria dhe Sllovakia e nisën që të shtunën vaksinimin kundër kovidit-19, duke e komentuar situatën me pandeminë, tepër serioze për të pritur hapjen e fushatës formale.

10 mijë dozat e para iu shpërndanë në fundjavë secilit vend anëtar, një total prej 200 milionë dozash shpresohet të merren brenda shtatorit 2021, ndërsa së bashku me vaksinat e kompanive të tjera doza mendohet se do të mjaftojnë për të vaksinuar të 450 milionë banorët e unionit.

Vaksina "Pfizer-BioNTech" merret në dy doza me diferencë tre javë nga njëra-tjetra dhe vlerësohet se e lufton koronavirusin e ri në më shumë se 90 për qind të rasteve.