“Dështim i gjermanëve?" Ministri i Jashtëm anashkalon Shqipërinë, shpreh keqardhje për Maqedoninë e Veriut
Gjermania e pati të vështirë të bëjë bilancin e kryesimit të BE-së në lidhje me zgjerimin. Ministri i Jashtëm, Heiko Maas, ndërsa vlerësoi përparimin e shënuar me vendet e Ballkanit vitet e fundit, shprehu keqardhje që negociatat nuk u hapën me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Duke bërë bilancin e presidencës gjermane të Këshillit të BE-së, ministri i Jashtëm, Heiko Maas vlerësoi përparimin e shënuar në vendet e Ballkanit vitet e fundit, ndonëse nën drejtimin e tij blloku i përbashkët dështoi të mbajë premtimin për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Ashtu siç nuk u shënua asnjë hap për liberalizimin e vizave me Kosovën apo hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi.
Duke folur për DW, ministri Maas nuk e përmend fare Shqipërinë dhe Kosovën dhe flet vetëm për Maqedoninë e Veriut, një vend që u detyrua të ndryshojë emrin për shkak të integrimit europian dhe tani i kërkohet të pranojë se gjuha që përdor është bullgare.
“Në thelb bllokada lidhet me marrëdhënien dypalëshe të Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut. Si presidencë gjermane e BE-së ne u përpoqëm me një intensitet të madh të ndërmjetësonim një zgjidhje. Për fat të keq ende pa sukses. Partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor kanë bërë progres të madh në vitet e fundit, sidomos Maqedonia e Veriut. Njerëzit aty e shohin të ardhmen e tyre në BE. Prandaj ata duhet të ruajnë besimin tek premtimet tona, ndryshe do të heqin dorë nga BE. Perspektiva e BE është një impuls i rëndësishëm për reforma politike dhe shtetin ligjor,” tha Maas.
Presidenca gjermane synonte të fillonte negociatat brenda këtij viti me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Por ndërsa disa vende shprehën dyshime për arritjet e Shqipërisë, në krahun tjetër Bullgaria bllokoi me veto thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë Veriore.
Sofja kërkon që fqinji i saj të pranojë se gjuha maqedone rrjedh nga bullgarishtja, një pretendim i hedhur poshtë me forcë nga udhëheqësit politikë.