SHBA, ulet ritmi i vaksinimit nga COVID-19 nga 20 mln të planifikuara në 1 mln

Ndërsa SHBA-ja po rrit rezervat me vaksinat kundër Covid-19, mësohet se procesi i vaksinimit nuk po ecën aq shpejt sa ç'ishte menduar në fillim.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, i kishte vënë vetes objektivin që të vaksinonte të paktën 20 milionë veta deri në fund vitit 2020 kundër infeksionit të Covid-19.

Por shifrat tregojnë se që nga java e kaluar kur nisi fushata dhe u miratua vaksina e kompanive "Pfizer-BioNTech", dozat e parë i kanë marrë jo më shumë se 1 milionë persona.

Vonesat raportohet se kanë të bëjnë me mungesën e stafit mjekësor, me nevojën për të ruajtur distancat gjatë momentit të vaksinimit dhe me monitorimin e personave në rast alergjish.

Përshtatja e dozave me temperaturat e ambientit pas qëndrimit në kushte frigoriferike, gjithashtu paraqit sfida, duke e zgjatur procesin në gati 10 minuta për person apo trefishin e kohës që merr vaksinimi kundër gripit.

Disa klinika në Amerikë raportuan se arritën të bëjnë jo më shumë se 100 vaksinime brenda ditës, ndërsa spitalet më të mëdha, 1 mijë vaksinime në 24 orë.

Në të 50-a shtetet e Amerikës janë shpërndarë mbi 9 milionë e gjysmë vaksina në total dhe me ritmin aktual rrezikon të mos përmbushet as objektivi më madhor për imunizimin e 100 milionë vetave deri në muajin mars 2021.

Miliona doza të tjera vaksinash do të shpërndahen brenda javës nga "Moderna", një tjetër kompani e specializuar në bioteknologji.

Në muajin shkurt të vitit tjetër, edhe kompanitë "Johnson & Johnson" dhe "AstraZeneca" pritet të licencohen për vaksinat e veta alternative kundër kovidit-19.

Pandemia e koronavirusit në SHBA ka prekur mbi 18 milionë njerëz dhe u ka marrë jetën mbi 326 mijë amerikanëve.