VIDEO/ Joe Biden bën vaksinën anti-Covid
Amerikanët kanë marrë mesazhin se vaksina kundër Covid-it është e sigurt. Vetë presidenti i ardhshëm,Joe Biden, e ka bërë atë publikisht pas disa prej zyrtarëve të lartë të shtetit. Një paketë e re financiare do u vijë në ndihmë familjeve e sektorëve më në rrezik nga pandemia.
Presidenti i zgjedhur i Amerikës, Joe Biden, ka bërë vaksinën kundër Covid-it 19 për t'u bërë shembull dhe dëshmi se ajo është e sigurt dhe e nevojshme.
Të hënën kryedemokrati mori një nga dy dozat e vaksinës BioNTech-Pfizer, si edhe bashkëshortja e tij, duke qenë se në moshën 78-vjeçare ai është në fashën e personave më të rrezikuar nga infeksioni vdekjeprurës.
"Po e bëj këtë për të treguar se qytetarët duhet të jenë gati ta bëjnë vaksinën kur ta kenë atë në dispozicion. Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, dhe ka me miliona që do ia kenë nevojën asaj."
Edhe presidenti në detyrë, Donald Trump, ka thënë se do vaksinohet kur të vijë koha e duhur, ndërkohë në gjithë Amerikën, dozat e para vlerësohet se i kanë marrë mbi 500 mijë amerikanë.
Vaksinat shpresohet se do i japin fund betejë me pandeminë e Covid-it 19, e cila po e përkeqëson bilancin e saj me kalimin e javëve.
Në SHBA, sëmundjen e kanë kaluar gati 18 milionë persona ndërsa rreth 320 mijë prej tyre nuk kanë mundur t'i mbijetojnë.
Pak orë më herët, Kongresi amerikan miratoi edhe një paketë financiare me vlerë 900 miliardë dollarë për të mbështetur personat dhe sektorët më të goditur nga epidemia e përgjithshme.
Gati 12 milionë amerikanë po përfitojnë ndihmë si pasojë e humbjes së vendit të punës.
Shumica e familjarëve do të marrin një pagesë të vetme prej 600 dollarë, pagesa për papunësi do ofrohet në vlerën 300 dollarë në javë deri në pranverë, 300 miliardë dollarë do u shkojnë bizneseve, vaksinave dhe dhjetëra miliardë edhe për qiratë e pjesshme të qytetarëve në krizë.
Megjithëse paketa është mirëpritur, ajo është kritikuar për ardhjen me vonesë si pasojë e mosdakordësisë mes republikanëve në pushtet dhe demokratëve në ardhje.