Operacion ndërkombëtar anti-drogë/ 6 shqiptarë në pranga. Ja si funksiononte trafiku i narkotikëve
Një operacion anti-drogë i zhvilluar nga Policia e Shtetit, Policia belge dhe ajo gjermane ka shkatërruar një bandë që merrej me trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë, ndërsa në pranga kanë rënë 6 shtetas shqiptar, një grek dhe një lituanez.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, operacioni ka nisur prej vitit 2018 nga strukturat hetimore antidrogë të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (në vijim deri në finalizim nga SPAK-u).
Gjatë vitit 2018, antidroga e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë gjermane ka zhvilluar operacionin policor të koduar "Paraguaj", si rezultat i të cilit është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shtetas shqiptarë.
Më pas, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
Si rezultat i hetimeve të përbashkëta u bë i mundur identifikimi i krerëve të këtij grupi dhe në këtë kuadër, prej datës 15 dhjetor deri në datën 21 dhjetor 2020, u organizua dhe finalizua operacioni i përbashkët antidrogë i koduar "ATOS", në kuadër të të cilit u kapën në Belgjikë dhe u vunë në pranga, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” 6 shqiptarë, një grek dhe një lituanez.
Ora News ka mësuar edhe emrat e shqiptarëve të arrestuar: Musa Gjikola, Genti Balliu alias Flamur Balliu, Ramazan Rraja, Fioralb Rraja, Bledar Pepaj dhe Fatmir Xhecuka dhe K. N. (shtetas lituanez) dhe S. C. (shtetas grek).
Si dhe shtetasi F. Gj., për të cilin, pas arrestimit, Gjykata ka vendosur gjykimin në gjendje të lirë.
SI FUNKSIONONTE GRUPI
Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontenierëve.
Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.
FORCAT POLICORE QË MORËN PJESË NË AKSION
Në këtë megaoperacion, për ushtrimin e kontrolleve në banesat e të arrestuarve u përfshinë strukturat hetimore të antidrogës në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Shkodër e Lezhë, nën drejtimin e SPAK-ut.
Gjithashtu, një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale kanë zhvilluar në Gjermani dhe në Belgjikë, takime të përbashkëta më homologët, për të koordinuar veprimet që çuan në goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal.
Njëkohësisht, nën drejtimin SPAK-ut, për shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë operacionit ka filluar hetimi pasuror.


