Majko: Emigrantët votojnë pa adresë, lista e zgjedhësve buron nga regjistri i shtetasve

Emigrantët shqiptarë jashtë vendit do të mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit edhe pa e deklaruar adresën e banimit. Ministri për Diasporën tha se deklarimi i adresave është proces tjetër ndërsa siguroi se lista e zgjedhësve krijohet nga regjistrimi për pasaporta dhe karta identiteti.  Pandeli Majko dha edhe lajmin se Italia ka zgjidhur çështjen e buxhetit për pensioniet e emigrantëve shqiptarë që jetojnë atje.

Emigrantët shqiptarë jashtë vendit mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit edhe pa deklaruar adresat.

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, e konfirmoi këtë fakt gjatë mbledhjes në Nënkomisionin për Diasporën dhe Emigrantët.

Majko: Emigrantet votojnë dhe pa treguar adresat. Jemi në komunikim të përditshëm me KQZ. Roli im i rezervuar, sepse KQZ është gjykatë autonome, ajo ka të drejtën të ndërmarrë veprime. KQZ të veprojë sa më shpejt të mundet pozitivisht në këtë drejtim. Nuk ka nevojë  të regjistrojnë adresën emigrantët që të marrin pjesë në votime. Do të aplikojnë direkt në KQZ.

Ligji për adresat është miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë para se të miratohen ndryshimet për Kodin Zgjedhor. Nuk ka të bëjë me të drejtën e votës. Është moment regjistrimi burokratik kur ti ndryshon adresën, shkon nga një rrugë në një tjetër nga një qytet në tjetër, nga një shtet në tjetër. Sepse kur keni bërë aplikimin për pasaportë keni vendosur një adresë: Itali, Milano, rruga filan, pallati filan. Kjo është arsyeja. Por shteti shqiptar ka të regjistruar të gjithë shtetasit që jetojnë jashtë vendit. Nuk ka të bëjë regjistrimi i adresës me të drejtën e votës.

E drejta e votës do të bëhet duke marrë kartën e identitetit, apo pasaportën, sipas rregullave që do vendosi KQZ dhe me të aplikohet. Është krijuar një lloj kakofonie. Duket sikur ti nëqoftëse nuk regjistron adresën, apo ndryshimin e adresës ti s’ke të drejtë të votosh! Pranë KQZ do krijohet një sistem dhe atje do të aplikojnë shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit. Aty krijohet regjistri i votuesve të shtetasve tanë me banim jashtë vendit.

Në përgjigje të pyetjeve të anëtarëve të Komisionit, ministri për Diasporën Pandeli Majko tha se po vazhdojnë negociatat me disa shtete për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë edhe pse pandemia i ka vështirësuar kontaktet.

Sipas tij përparim ka pasur me Italinë pasi qeveria e këtij vendi ka konfirmuar se ka zgjidhur çështjen e buxhetit.

Një vendim i Qeverisë shqiptare, i publikuar së fundi në Fletoren Zyrtare, i kërkon emigrantëve të nisin vetëdeklarimet për adresat e tyre në portalin qeveritar e-Albania ku emigrantët do të kenë mundësi të regjistrohen.

Ministri, Pandeli Majko, tha se është në kontakt me KQZ për të plotësuar kushtet për garantimin e votës së emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit.