Punëtorët e nëntokës kërkojnë statusin e minatorit

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar dorëzoi në Kuvend peticionin për statusin e minatorit  me më shumë se 10 mijë nënshkrime. Kërkesat e tyre janë të njëjtat prej gati 30 vitesh.

Elton Debreshi, kryetari i Sindikatës,  thekson se kërkesat e tyre janë një e drejtë thelbësore që i takon profesionit më të vështirë dhe më të rrezikshëm ndaj nuk do të ndalen  deri në realizimin e  plotësimit të kërkesave duke u shprehur se do të vazhdojnë më tej duke mos e lënë me kaq.

"Kërkesa tona janë tejet bazike dhe të mundshme. Janë  siguria në punë e minatorit, të cilët po vriten në punë dhe fajin po e merr me vete viktima. Një kërkesë që nuk duhet të diskutohet fare. Familjet e tyre të gëzojnë një pension nëse minatori humb jetën në galeri dhe një dëmshpërblim prej 6 mln lekë të reja.

Shteti nuk ka dhënë asnjë status për minatorët, thjesht i ka penguar me ligj suplementar sipas të cilit minatorët dalin në pension 55 vjeç. Minatori me 30 vite në galeri dhe 12 vite e gjysmë nën tokë siç e përfshin ligji, dalin në pension të pjesshëm.  Vetëm 65 vjeç e gëzojnë pension të plotë. Ne kërkojmë që 53-55 vjeç të dalë me pension të plotë.Kemi mbledhë mbi 10 mijë firma".

Peticionin e dorëzuan pranë Parlamentit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Statusi i minatorit është diskutuar prej vitesh në Kuvend,  ku drafti i fundit është paraqitur zyrtarisht nga ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu.