Liçaj: E pajustifikueshme dhuna ndaj aktivistëve, qeveria të lërë agallëkun, është shërbëtore e popullit
Një ditë pas arrestimit të katër aktivistëve për mbrojtjen e teatrit, Aleanca ka reaguar përmes një proteste pranë Ministrisë së Brendshme.
Ata e kanë cilësuar shoqërimin e padrejtë dhe si diçka që nuk i frikëson nga qëndrimi i tyre që e kanë mbajtur prej vitesh.
Regjisori, Robert Budina, në fjalën e tij paera mediave tha se qëndresa do të vijojë pavarësisht çdo gjëje.
Budina: Nga teatri e spostuam protestën tonë në rrugë për të drejtat e njeriut dhe u themi se nuk do të reshtim. Ne do të jemi përditë duke protestuar për të drejtat tona.
Ndërkaq aktori i njohur, Neritan Liçaj, u shpreh se dhuna e djeshme është e pajustifikuar në çdo pikëpamje.
Neritan Liçaj: Arsyet pse dalim në protestë janë të shumta. Sot është për baziken, për dhunën që u ushtrua dje ndaj aktivistëve të Teatrit. Që ishte e pajustifikuar nga çdo pikëpamje. Është normale që ne do reagojmë. Ne u jemi bashkuar të gjitha protestave që janë zhvilluar. Sepse mazhoranca nuk plotëson misionin për të cilën është zgjedhur. Nuk ka ca ti japë më këtij kombi. Ne jemi për protesta qytetare përsa kohë kemi këtë mazhorancë arrogantë që nuk i jep zgjidhje problemeve dhe shton dhunën policore.
Licaj u shpreh se qeveria duhet të lërë agallëkun dhe arrogancën por t'i shërbejë popullit si detyrën kryesore që kanë.
Neritan Liçaj: Ne nuk tërhiqemi. Gjëja më e mirë që do i këshilloja mazhorancës dhe qeverisë unë si një qytetar i thjeshtë do ishte t'i vinin gishtin kokës, të dalin nga sistemi të lejojnë zgjedhje të ndershme që hallet e qytetarëve të zgjidhen. Se me dhunë nuk e mbajnë dot dhe e ka treguar historia. Mazhoranca dhe qeveria duhet të kenë parasysh që nuk janë agallarët e këtij vendi por janë shërbëtoret e qytetarit sepse përkthimi i parë i fjalës ministër është shërbëtor i popullit. Ta lënë agallëkun dhe arrogancën se nuk prodhon asgjë.
Në mbyllje të gjithë pjesëmarrësit u zotuan se do të organizojnë sërish protesta të përditshme për kauzën e tyre të drejtë.