Francë: Kisha katolike në krizë fondesh, besimtarët nuk po dhurojnë para
Ndalimi i pjesëmarrjes në institucionet e besimit në muajt e pandemisë u ka prerë Kishave Katolike franceze një nga burimet e të ardhurave, që janë dhurimet e besimtarëve.
Izolimi prej pandemisë po rezulton shpirtërisht dhe financiarisht i vështirë edhe për institucionet e kultit.
Kisha e Notre-Dam-de-Shomsit në Paris raporton këtë vit 35 për qind më pak të ardhura nga donacionet, si pasojë e anulimit të meshave, pagëzimeve apo martesave nga masat antikovid.
"Po vijmë në fund të vitit dhe burimet e kishës janë kufizuar mjaft këto javë. Nuk kemi mundur të presim njerëz apo të zhvillojmë aktivitete të tjera. Tani kemi një deficit prej 50 mijë eurosh."
Kishat e tjera katolike franceze vlerësojnë se pandemia u ka kushtuar atyre mbi 4 milionë euro çdo të diel ose deri 90 milionë euro më pak donacione krahasuar me vitin e kaluar.
Kufizimet në Francë vazhdojnë prej 16 të dielash, dhe e vetmja shpresë tashmë po shihen festimet e Krishtlindjes.
"Mahnitem nga bujaria e komunitetit. Kriza shëndetësore ka ndikuar në ndërgjegësimin e shumë njerëzve. Ka edhe të krishterë që nuk jepnin kurrë, dhe tani po kontribuojnë për kauzën."
"Nuk kisha mundësi të dhuroja para gjatë meshës por kontribuova një donacion më të madh sesa zakonisht, që e jap çdo vit."
Që nga 3 dhjetori, Franca aplikon rregulla të reja për frekuentimin e institucioneve të besimit: çdo person duhet të qëndrojë dy vende larg tjetrit dhe rreshtat me karrige duhet të kenë hapësirë në kishat, tempujt, xhamitë dhe në sinagogat e gjithë vendit.