Ekskluzive për Ora Sport/ Gaz Demi: Ilir Daja, blerja më e mirë e gjithë viteve të mia

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Ora Sport dhe gazetaren Albana Bejko ku ka folur për Partizanin e sivjetshëm, për teknikun e tij, dhe për objektivat sezonalë.

I pyetur rreth faktit që skuadra e tij nuk mund të bënte merkato këtë verë për shkak të një dënimi nga UEFA, Demi u shfaq i kënaqur me “Demat e Kuq”.

Sipas tij, trajneri Ilir Daja është blerja më e mirë që nga koha që ai ka marrë presidencën e Partizanit.

“Pavarësisht atij dënimit të UEFA-s, mendoj se kemi bërë blerjen më të mirë të vitit dhe të të gjithave viteve të mia si president, që është trajneri Ilir Daja. Që me ardhjen e Dajës, sapo mbyllëm marrëveshjen e xhentëllmenëve, kam patur besim se Partizani, edhe me këtë mbyllje të merkatos, do të jetë në rrugën e duhur. Kuptohet që prej ndodhive që ndodhën vjet nuk do të ishte ai Partizan që ka qenë. Me Dajën besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur dhe do ecim përpara shumë mirë”, u shpreh Demi për Ora Sport.

Albana Bejko: Çfarë objektivash ka Partizani këtë sezon? Cili është minimumi që kërkoni të arrihet?

Gaz Demi:  Që të jem korrekt Albana. Që kur kam marrë Ilir Dajën ia kam thënë nuk ka trysni për objektiv këtë vit, sinqerisht, ose këtë fazë meqë jemi të dënuar nga UEFA. Që kur ka marrë ekipin Daja nuk ka trysni për tituj. Dëshira ime minimalisht është të jetë në Kupat e Europës. Megjithatë Daja është optimist se Partizani mund të ecë edhe më përpara. Megjithatë do ia lemë kohës. Siç e dini dhe ju, u nis me vonesë si pasojë e bojkotit që ne bëmë si ligë profesioniste për arsye pozitive për futbollin shqiptar. Kështu që unë mendoj presioni te Daja do jetë zero por mendoj me atë trajner me dinjitet dhe me karakterin e tij sportiv që minimalisht të na nxjerrë në Kupat e Europës. Do t’ia lemë kohës. Ndeshjet vijnë njëra pas tjetrës.