Dopingu në Olimpiadë, Rusia ndalohet për dy vjet në ngjarjet sportive botërore

Gjykata e Arbitrazhit për Sportin në Lozanë, ka gjetur fajtore këtë të enjte Rusinë për përdorimin e dopingut. Në vendimin e saj, ajo e ka ndaluar Rusinë që në dy vitet e ardhshme të përdorë flamurin, emrin dhe himnin e saj në thuajse çdo veprimtari sportive ndërkombëtare.

Rusia është ndaluar të përdorë flamurin, emrin dhe himnin e saj në dy Olimpiadat e ardhshme dhe çdo veprimtari tjetër sportive ndërkombëtare për dy vitet e ardhshme.

Këtë vendim ka njoftuar të enjten gjykata e Arbitrazhit për Sportin, ku doli në përfundimin se faktet e gjetura për sportistët nuk ishin në përputhje me rregullat ndërkombëtare anti-doping.

Agjencia Botërore Anti-Doping kishte kërkuar një ndalim më të rreptë, katër vjeçar, për Rusinë, megjithëse gjykata me bazë në Lozanë theksoi se dënimi më i lehtë nuk duhet të lexohet si lehtësim për veprimet e Rusisë.

" Kemi marrë në konsideratë proporcionalitetin dhe, në veçanti, nevojën për të ndikuar dhe për të inkurajuar brezin e ardhshëm të atletëve rusë për të qenë të pastër në pjesëmarrjet e tjera ndërkombëtar," deklaroi paneli.

Atletët rusë do të lejohen që të garojnë në konkurse ndërkombëtare për sa kohë që nuk kanë arsye të tjera për tu pezulluar dhe uniforma e veshur nuk përmban flamurin e Federatës Ruse dhe të emërtohet" atlet neutral "-  thuhet në vendim.

Ndër të tjera, edhe himni kombëtar rus nuk lejohet të luhet ose të këndohet në kompeticionin zyrtar.

Pas këtij vendimi Rusia ndalohet që të garojë në Olimpiadën e ardhshme të Tokios, Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Kinë, Kupës e Botës në futboll 2022 dhe ngjarje të tjera sportive të rëndësishme.

Rusia ndërkaq e ka quajtur veprimin të motivuar politikisht. Gjykata e Arbitrazhit për Sportin është gjykata më e lartë sportive në botë. Në qendër të çështjes ishte edhe një kërkesë që Rusia të dorëzojë të dhënat nga një laborator i Moskës. Por Agjencia kundër dopingut tha se Rusia fshiu dhe ndryshoi të dhënat.