Charlie Hebdo: Gjykata franceze shpall 14 persona fajtorë për bashkëpunimin në sulmet terrorriste
Një gjykatë franceze ka urdhëruar nga 4 deri 30 vite burgim për 14 të pandehur që bashkëpunuan në sulmet terroriste të 7, 8 dhe 9 janarit 2015.
Veprimet e tyre shkaktuan vdekjen e 17 personave, 12 të vrarë në selinë e revistës satirike, "Charlie Hebdo", një oficere police dhe 4 viktima në një supermarket izraelit në lindje të Parisit.
Sulmi në redaksinë franceze u nxit nga publikimi i karikaturave të profetit mysliman, Muhamed.
Patrick Klugman: Besoj se u dëgjua zëri i shumicës së viktimave. Gjykata dha drejtësi. Terrorizmi nuk përkrahet pa u ndëshkuar. Ne akuzojmë ekzekutuesin, por nuk ka më keq se të jesh vegël e tij. Dhe ata që e ndihmuan Kulibalin, e dinin çfarë ai donte të bënte, pse dhe kë donte të vriste.
Të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje në një rrjet kriminal dhe bashkëpunim në krim. Mes tyre ishte edhe gruaja e njërit prej autorëve, e Amedi Kulibalit, i cili e planifikoi dhe e vuri në jetë sulmin terrorist të janarit 2015 së bashku me vëllezërit Sherif dhe Said Kouaçi.
Të tre mbetën të vrarë pas konfrontimit me forcat e policisë në rrethinat e kryeqytetit francez.
Patrick Pelloux: Jemi këtu sepse i besojmë institucionit të drejtësisë, funksionimit të demokracisë. Terrorizmi islamik nuk ka për ta gjunjëzuar kurrë republikën tonë, dhe gjithmonë kemi për të qenë më të fortë se ta.
Lassana Bathily: Për ne është çlirim. Kemi pesë vite që e presim vendimin. Të gjithë viktimat, familjet e kanë brengë, dhe ishte me rëndësi që gjykimi të zhvillohej me respekt, pa hakmarrje.
Vendimi për të pandehurit ishte shtyrë nga muaji nëntor për shkak të pandemisë. Sulmet e janarit 2015 shënuan fillimin e një vale dhune me bazë xhihadizmin që ka lënë deri tani mbi 250 persona të vrarë në Francë.