Lufta kundër Covid-19 nuk ka të ndalur, Europa ashpërson masat në prag të festave të fundvitit
Vende të ndryshme europiane, si Gjermania, nuk kanë lënë ende pas valën e dytë të pandemisë, dhe po i paraprijnë të tretës me kufizime për qytetarët deri sa të shpërndahet vaksina.
Kontinenti ka regjistruar mbi 400 mijë viktima që nga muaji janar.
Disa vende europiane kanë ashpërsuar masat kufizuese për shkak të pandemisë, megjithëse rriten shpresat për vaksinat kundër Covid-19.
Gjermania mbylli të mërkurën shkollat dhe llojet e zakonshme të dyqaneve dhe bizneseve, si baret, restorantet, floktoret, duke lënë hapur vetëm ato më jetiket, supermarketet, bankat dhe farmacitë.
Masat do të jenë në fuqi deri më 10 janar ndërsa vetëm dita e Krishtlindjeve do lehtësohet disi për të lejuar organizimet familjare me deri katër persona të tjerë.
"Po vërejmë një formim të valës së tretë të pandemisë pa u dobësuar mirë e dyta. Prandaj na duhet të japim sinjalin e qartë se ky ndërrim vitesh duhet të jetë ndryshe nga normalja," deklaroi ministri i Shëndetësisë, Jens Shpan.
Një ditë më parë, gjermanët vërshuan dyqaneve për dhurata para se ato të mbylleshin, por pesë javë kufizime strikte nisën të aplikojnë edhe fqinjët perëndimorë holandezë.
"Është më mirë që t'i mbyllim dyqanet, për shëndetin tonë. Mezi presim të mbarojë e gjitha por edhe mund të jetojmë pa to."
"Është e kuptueshme. Numrat po rriten në stratosferë. Pa mbylljet, pasojat do të jenë të pashmangshme."
Gjermania raportoi të mërkurën 952 viktima nga covid, ndërsa 790 jetë të humbura njoftoi edhe Franca, e cila ka nisur të aplikojë ndalimqarkullimin nga ora 20 deri në orën 6 të mëngjesit.
Njerëzit nuk lejohet të lëvizin jashtë pa një autorizim.
"Prioriteti ynë është të shpëtojmë jetën e njerëzve, prandaj verifikojmë automjetet dhe këmbësorët, dhe nëse nuk e arsyetojnë mungesën e autorizimit, ata gjobiten."
Kryeqyteti britanik filloi të mërkurën t'i nënshtrohet masave të rrepta të izolimit, ndërsa kriza shëndetësore mbetet prezente në Itali.
Bashkimi Europian njoftoi një ditë më parë se vaksina antikovid nga firma amerikane "Fajzer" do të shqyrtohet për miratim më datën 21 dhjetor, por sipas një studimi të fundit nga Universiteti Joe Biden , një e pesta e botës nuk do ketë akses te vaksinat para vitit 2022.