SHBA, Biden zgjedh afro-amerikanin e parë në krye të Pentagonit
Shefi i ri i mbrojtjes amerikane pritet të jetë gjenerali me katër yje, Lloyd Austin. Nëse konfirmohet nga Senati, Austin do të jetë shefi i parë afroamerikan i Pentagonit.
Gjenerali në pension me katër yje Lloyd Austin do të jetë shefi i Pentagonit nën administratën e re amerikane të Joe Bidenit. Nëse konfirmohet nga Senati, Austin do të udhëheqësi i parë afroamerikan i Pentagonit. Gjenerali Austin është diplomuar në vitin 1975, në Akademinë Ushtarake Amerikane në West Point, dhe ka shërbyer 41 vjet me uniformën e ushtarakut amerikan.
Lajmin për emërimin e kanë njoftuar persona pranë administratës së re të Bidenit për emërimin e sekretarit të ri të Mbrojtjes.
Mediat amerikane shkruajnë se presidenti Biden zgjodhi gjeneralin Austin kundrejt kandidates Michele Flournoy, një ish-zyrtare e lartë e Pentagonit dhe mbështetëse e demokratit Biden. Presidenti i zgjedhur gjithashtu ka marrë në konsideratë edhe emrin Jeh Johnsonit, një ish-zyrtar i lartë amerikan për çështjet e sigurisë e të mbrojtjes.
Gjenerali Austin e pranoi postin të Dielën, sipas një personi të afërt me Bidenin, njoftojnë mediet amerikane.
67-vjeçari Austin është oficer karriere dhe analistët shkruajnë se emërimi i tij ka të ngjarë të përballet me kundërshtime në Kongres, për shkak të besimit për krijimin e një linje të qartë midis udhëheqjes civile dhe ushtarake të Pentagonit.
Por në historinë e ShBA-ve, shumë sekretarë të mëparshëm të mbrojtjes kanë shërbyer për pak kohë në ushtri, dhe vetëm dy - George C. Marshall dhe James Mattis - kanë qenë oficerë karriere.
Ashtu si për gjeneralin tjetër me katër yje, James Mattis, pritet të ketë debate në Kongresin amerikan. Kongresi synonte kontrollin civil të ushtrisë kur krijoi pozicionin e sekretarit të Mbrojtjes, në vitin 1947, ndaj edhe ndaloi një oficer ushtarak të pensionuar së fundmi të mbante pozicionin. Austin ishte i përfshirë në Luftën e Irakut nga fillimi në fund.
Ai fitoi pëlqimin e administratës Obama për punën e tij në Irak dhe në Komandën Qendrore, megjithëse nuk ishte dakord me vendimin e presidentit Obama për t'u tërhequr plotësisht nga Iraku në dhjetor të 2011-ës.
