Italiani ecën 450 km pas sherrit me gruan, policia e gjobit 400 euro

Një burrë italian doli jashtë për t'u qetësuar pas grindjes me gruan e tij - dhe përfundoi duke ecur 450 km.

Italianët e kanë pagëzuar atë si "Forrest Gump" në rrjetet sociale, si heroi i një filmi të vitit 1994, të luajtur nga Tom Hanks, i cili kalon mijëra kilometra në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Policia ndaloi ecjen epike të italianit në orën 2 të mëngjesit në Fano, në bregdetin e Adriatikut, një javë pasi ai u largua nga Como në veri.

Burri, 48 vjeç, mori një gjobë prej 400 eurosh nga policia për shkeljen e shtetrrethimit.

Historia u raportua për herë të parë nga gazeta me bazë në Bolonjë, Il Resto del Carlino, por shpejt u bë virale në mediat italiane.

Disa komente në mediat sociale e paraqitën burrin si hero dhe kritikuan policinë për gjobën. 

Njëri tha që ai duhej të ishte shpërblyer - jo gjobitur - dhe t'i jepeshin një palë këpucë të reja. 

Një tjetër e vlerësoi burrin për faktin se u largua për të hequr zemërimin, në vend që të përdorte dhunë.

Burri tregoi për policinë se kishte ecur në këmbë dhe nuk kishte përdorur mjet transporti.

"Kam ardhur këtu në këmbë, nuk kam përdorur asnjë mjet transporti. Gjatë rrugës takova njerëz që më ofruan ushqim dhe pije. Jam mirë, thjesht pak i lodhur," tha ai, teksa kishte ecur mesatarisht 60 km në ditë.

Policia e gjeti duke ecur kuturu në një autostradë bregdetare.

Pasi kontrolluan ID-në e tij në bazën e të dhënave, ata zbuluan se gruaja e tij e kishte raportua të zhdukur, kështu që ata e kontaktuan atë dhe ajo udhëtoi në Fano për ta marrë.

Raportet italiane nuk thanë se si reagoi ajo kur mësoi se ai kishte marrë një gjobë prej 400 €.