Venezuelë: Maduro fiton zgjedhjet pa opozitën

Presidenti i Venezuelës, Nikola Maduro, ka konsoliduar pushtetin në të gjitha institucionet politike.

Socialistët e tij dhe aleatët u zgjodhën të dielën nga 67 për qind e votuesve pjesëmarrës.

Partitë kryesore opozitare e bojkotuan procesin, ndërsa ato që nuk iu bindën thirrjes morën 18 për qind të votave.

Në zgjedhjet parlamentare abstenuan në masë edhe vetë venezuelasit.

"Erdhi dita, erdhi ora. Me durim dhe dituri pritëm që ta çlirojmë këtë Asamble Kombëtare nga shkatërruesit e saj. Opozitës i bëj thirrje të heqë dorë nga rruga ekstremiste dhe të përfitojë edhe nga humbja e Donald Trampit që t'i japë fund politikës intervencioniste amerikane," deklaroi Maduro, duke apeluar presidentin e zgjedhur, Xho Bajden, të heqë sanksionet ndaj vendit të tij.

Asambleja Kombëtare ishte institucioni i vetëm që opozita e kontrollonte prej 5 vitesh.

Lideri i opozitës, Huan Guaido, i mbështetur nga Uashingtoni, Bashkimi Europian dhe shumica e vendeve latine, i quajti zgjedhjet e fundjavës një farsë elektorale.

"Rezultatet e shpallura nga regjimi i paligjshëm i Maduros nuk reflektojnë vullnetin e popullit venezuelas," komentoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo.

37-vjeçari Guaido me aleatët parashikojnë të mbajnë një plebishit publik për zgjatjen e mandatit të Asamblesë aktuale deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe transparente.

Presidenti Maduro mban postin e lartë të shtetit që nga viti 2013, pas një karriere politikë që ai e nisi në vitin 2005 në Asamblenë Kombëtare, pas një përvoje disavjeçare si shofer autobusësh.

Venezuela prej vitesh përballet me një krizë ekonomike dhe politike, e nxitur nga sanksionet nga SHBA-ja por edhe nga keqmenaxhimi i burimeve natyrore e energjetike të vendit.