Biden dëmton këmbën ndërsa luante me qenin e tij
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, me gjasë do të ecë më vështirë për disa javë pasi mësohet se ka pësuar krisje të lehta në njërën këmbë.
Incidenti ndodhi gjatë fundjavës kur 78-vjeçari u rrëzua duke ndrydhur kyçin teksa po luante me një nga qentë e familjes.
Me t'u paraqitur te mjeku personal, grafitë e tij zbuluan disa fraktura jo të thella në këmbën e djathtë, të cilat e kanë bërë të nevojshme mbajtjen e çizmeve ortopedike.
Joe Biden më 3 nëntor fitoi garën për Shtëpinë e Bardhë dhe më 20 janar pritet të betohet si Presidenti më i moshuar në historinë e politikës amerikane.
Ai ka thënë se dy qentë i tij të racës pastorë gjermanë do i marrë edhe në selinë presidenciale.
Presidenti në detyrë, Donald Trump, në fundjavë i uroi rivalit demokrat shërim të shpejtë.
Të dy politikanët amerikanë u përfolën këtë vit për moshën e tyre dhe sfidat që ajo mund të ndeshnin në udhëheqjen e presidencës duke ditur se edhe presidenti Trump është vetë 74 vjeç.
Kreu i Shtetit pak javë para zgjedhjeve u infektua me virusin e ri korona por arriti ta kalojë mirë me anë të medikamenteve dhe marrjes së antitrupave eksperimentalë.
NEW: @nbcnews photographer captures @JoeBiden leaving orthopedic office in Delaware where the president-elect was just treated for what his doctor called a sprained right ankle from a fall Saturday. pic.twitter.com/mTYee0BMur
— Kelly O'Donnell (@KellyO) November 29, 2020