Vjosa Osmani uron shqiptarët: 28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar
Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një letre zyrtare për Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, ka uruar festën e flamurit për të gjithë shqiptarët.
Vjosa Osmani: Flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit në histori. Ai është trashëgimi e përjetësuar në simbol. Qysh nga koha e Skënderbeut, ai i bën krenarë shqiptarët dhe i bashkon rreth një fryme. Prandaj, ata janë fort të lidhur për të, sepse, përveç tjerash, ua simbolizon lirinë. Kështu qe në Krujë, më 1443, në Vlorë më 1912 e në Prishtinë, më 1999. Prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar. Aty njëri simbol, himni, i thërret simbolit tjetër, flamurit. Kjo është ndërlidhja më e fuqishme e mundshme mes shpirtit të kombit dhe “kângës së kombit”.
Në këtë ditë të veçantë, prandaj, duhet të rikujtojmë trashëgiminë tonë historike e kulturore, ta rikujtojmë lashtësinë e kombit dhe të jemi krenarë me vlerat që ia kemi dhënë kulturës e qytetërimit perëndimor, nga antika në bashkëkohësi.
28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën.
Zoti e bekoftë Ditën e Flamurit!
Zoti i bekoftë shqiptarët.
