Lirohet Admir Çerpja, i penduari i grabitjes së Rinasit në 2017
Gjykata e posaçme e apelit ka dhënë vendim këtë të shtunë për të lënë të lirë një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë të arrestuar për grabitjen e Rinasit e cila u realizua 3 vite më parë
Admir Çerpja u lirua nga qelitë pasi togat e zeza llogaritën se ka shlyer dënimin prej 5.8 vitesh heqje lirie. Gjykata mori parasysh periudhën e paraburgimit si dënim të plotë, ndaj pas përfundimit të procedurave është i lirë të largohet nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Në seancën gjyqësore e cila zgjati 30 minuta, togat e zeza evidentuan faktin se ai përfitoi ulje të dënimit për shkak të ndihmës që dha me dëshminë e tij në zbardhjen e ngjarjes. Vendimi për dënimin me 5 vite e tetë muaj burg është dhënë nga Shkalla e Parë, ndërsa nuk ka marrë akoma vendim të formës së prerë nga gjykata e apelit. Pak ditë më parë u la i lirë dhe bashkëpunëtori tjetër Ditjon Memlika, i cili mori të njëjtin dënim si Çerpja, dhe më pas përfitoi lehtësitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Dy të penduarit ishin pjesë e bandës që realizuan grabitjen e blindave në Rinas, për të cilët gjykata e shkallës së parë është shprehur me një vendim për dënimin e tyre.
Më herët ish Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar në total me 107 vite burg, 8 anëtarët e bandës të arrestuar për grabitjen e Rinasit, por procesi gjyqësor prej dy vitesh ka ngecur
Për grabitjen e miliona eurove në rrugën e Rinasit ndodhen në qeli Dash dhe Ernest Kupa, Neim Avdylaj, Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani, dhe Aleksandër Murataj. Ky i fundit është vëllai i Admir Muratajt të vrarë në grabitjen e 9 prillit po në Aeroportin e Rinasit, gjatë tentativës për tu arratisur policisë.