Yuri Kim dhe Soreca urojnë shqiptarët: Jetë të gjatë Shqipërisë së Pavarur! Më të fortë së bashku!

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e ditës së flamurit në 108 vjetorin e pavarësisë.

"Këtë vit festojmë vendimin e Bashkimit Evropian për negociatat me Shqipërinë, një hap domethënës që vendi ka bërë në implementimin e reformave të nevojshme për të qenë anëtare e BE", shkruan zyrtari amerikan në mesazhin e tij.

Ai  përgëzon Shqipërinë në kryesimin e OSBE dhe angazhimin e saj ndaj komunitetit transatlantik. Sipas Pompeos Shqipëria luan një rol kryesor në sigurimin e paqes dhe stabilitetit si pjesë e Aleancës së NATO-s ndërsa Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Shqipërisë si një aleat i palëkundur. sekretari amerikan thekson se SHBA dhe Shqipëria po punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat e COVID-19.

Ndërkaq Ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, kanë shpërndarë mesazhin e tyre të urimit në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Diplomati europian shprehet se këtë vit nderon shqiptarët që humbën betejën e tyre kundër COVID-19 dhe sakrificën e mjekëve dhe infermierëve që janë në vijën e frontit çdo ditë.

"Bashkimi Evropian qëndron pranë popullit shqiptar. Më të fortë së bashku", shkruan Soreca. Ndërkaq ambasadorja amerikane thotë se më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin duke e shpallur Shqipërinë të pavarur nga Perandoria Osmane ndërsa i uron Shqipërisë jetë të gjatë duke evidentuar shpirtin kurajoz të Qemalit dhe Skënderbeut.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë marrë një mesazh urimi edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov.

Pasi shpreh urimet me rastin e festës kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Ditës së Flamurit, kryediplomati rus shpreh bindjen se aktivizimi i kontakteve midis ministrive të punëve të jashtme të vendeve tona do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare si edhe do t`i shërbejë përforcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe më gjerë