"587 milionë lekë avulluan...", PD: Si u vodhën dy herë paratë e shkollës në Thumanë

Çlirim Gjata: Natën e 26 nëntorit të vitit të shkuar, Thumana përjetoi një tragjedi, në të cilën humbën jetën dhjetëra njerëz, fëmijë, nëna e baballarë. Kjo humbje e madhe për familjarët, por edhe për ne si bashkëqytetarë të Shqipërisë, erdhi për shkak të neglizhencës dhe shpërdorimit të fondeve nga qeveria dhe bashkia e Krujës.

Opozita është rikthyer në Thumanë për të akuzuar sërish mazhorancën për fondet e dhëna në rindërtimin e shkollës Ramazan Jongozi. Për ish deputetin Çlirim gjata abuzimet me ndërtesat janë regjistruar para tërmetit të 26 nëntorit.

Çlirim Gjata: Pak muaj para tërmetit të 26 nëntorit, shkolla u rikonstruktua. Për të u harxhuan 587 milion lekë nga taksat e qytetarëve. Pak javë më vonë, tërmeti nxori në pah vjedhjen me shkollën. Tregoi se ne drejtohemi nga hijena që nuk duan t’ia dinë për sigurinë e fëmijëve, por duan vetëm të vjedhin në çdo kohë e në çdo vend, deri te shkollat dhe kopshtet e fëmijëve.

Sipas Gjatës me shembjen e godinës u zhdukën provat, por shton se dhe me rindërtimin po abuzohet

Çlirim Gjata : Hajdutët e Fatkeqësisë” i kanë zvarritur procedurat e lidhjes së kontratës me të paktën 3 muaj, derisa kanë rënë dakord se si do ta ndajnë prenë e tyre në oborrin e një shkolle në tentativë, ku sot duhet të mësonin nxënësit. Nxënësit nuk janë prioritet i kësaj qeverie, tepsia po. Shumë shpejt perdja do të bjerë dhe hajdutët e fatkeqësisë do të dalin para ligjit

Gjata theksoi se shumë shpejt abuzuesit do të përgjigjen para ligjit teksa shtoi se nxënësit nuk janë prioritet i qeverisë Rama