Bulqizë: Gjuetia e paligjshme përfundon në dramë. Vritet Elidoni 22 vjeç, shoqërohet shoku i tij

Një 22 vjeçar humbi jetën mbrëmjen e 26 nëntorit, pasi kishte dalë për gjueti me shokun e tij në Bulqizë

Viktimë mbeti Elidon Basha, ndërsa autori i dyshuar është identifikuar si Klodian Kola, 27 vjeç.

Dy të rinjtë sipas policisë kishin dalë për gjueti gjatë natës në rrugën Fushë Bulqizë - Kodër Dane.

"Rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi K. K., së bashku me shtetasin E. B., në rrugën Fushë Bulqizë - Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte" informoi policia.

Rrethanat si ka ndodhur ngjarja mbeten ende të paqarta ndërsa policia informon: "Nga pakujdesia shtetasi K. K. ka plagosur shokun e vet, shtetasin E. B., 22 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës."

Ai është nisur drejt Tiranës për trajtim të specializuar, por sipas policisë ndërroi jetë rrugës.

Sipas dëshmive të para, ngjarja është klasifikuar aksidentale, por hetimi ende nuk ka përfunduar për të zbardhur se çfarë ndodhi mes dy shokëve.

Policia thotë se në vendngjarje gjeti një armë gjahu, një elektrik dore dhe një mjet me të cilin dy shokët kishin dalë për gjueti.

Ngjarja e rëndë konfirmon edhe një herë se fenomeni i gjuetisë së paligjshme vijon në zonat që policia dhe instucionet e tjera e kanë të vështirë të kontrollojnë respektimin e moratoriumit.