Flakonët e vaksinave antikovid: Prodhuesi gjerman, "Schott", furnizon 75% të shisheve për vaksinat
Kompanitë farmaceutike globale po prijnë përpjekjet për të luftuar koronavirusin, por një kontribut po aq kritik po japin edhe ata që zakonisht i shpëtojnë vëmendjes publike.
Prodhuesi gjerman, "Schott", furnizon në botë treçerekun e të gjithë flakonëve apo shisheve të vogla që po përdoren për testet e vaksinave kundër virusit të ri.
Firma ka reputacion për cilësinë e lartë të prodhimit të xhamave, specialitet që e ka perfeksionuar në 130 vite histori.
"75 përqind e projekteve për vaksinat e kovidit-19, që janë diku rreth 100 në botë, po furnizohen me flakonët e Schott-it. Deri fundin e vitit tjetër, shpresojmë që të prodhojmë sa për 2 miliardë doza vaksine. Ky është objektivi ynë i përditshëm që mendojmë se mund ta arrijmë."
Vaksina e kompanisë amerikane "Moderna" dhe krijimi i përbashkët i amerikanëve të "Pfizer" dhe gjermanëve të "BioNTech" duket se janë më afër vijës së finishit, me gati 95 përqind efikasitet për imunizimin e pacientëve nga sëmundja infektive.
Por efikasiteti i tyre kushtëzohet edhe nga standardet strikte të enëve ku ato ruhen.
Kompania Schott, e themeluar nga kimisti Otto Schott më 1890-ën, përdor një xham borosilikati që ai e shpiku vetë, dhe që mund të durojë temperatura nga -80 në 500 gradë Celsius.
"Nëse një lëng e ruan në enë, çfarëdo ende qoftë, ekziston rreziku i një ndërveprimi kimik mes sipërfaqes së brendshme të enës dhe lëngut. Dhe nëse ky lëng është medikament, kjo ndikon te efikasiteti, mund të prodhojë efekte anësore apo edhe t'u rrezikojë shëndetin njerëzve."
Kompania gjermane thotë se ka investuar miliarda dollarë dhe ka vënë në punë të 16 mijë punonjësit e saj në 30 shtete të botës për të prodhuar pa pushim sa më shumë flakonë të nevojshëm për vaksinat antikovid.