Mbani maskën: Vaksina nuk do ti japë fund Covid-19 menjëherë
Pavarësisht pritjeve për vaksinën e Covid-19 brenda disa javëve, Shteteve të Bashkuara dhe amerikanëve do t’iu duhen disa muaj ndoshta edhe i tërë viti 2021 përpara se gjërat t’i kthehen normalitetit dhe që njerëzit të mund të shkojnë nëpër kinema, të ndjekin një ndeshje basketbolli apo të përqafojnë gjyshen.
Shpërndarja e dozave të para të vaksinës do të shënojë vetëm fillimin e asaj që mund të jetë rrugë e gjatë dhe e komplikuar për t’i dhënë fund pandemisë, që ka ndryshuar jetët e njerëzve dhe ka vrarë më shumë se çerek-milioni persona në Shtetet e Bashkuara.
Prandaj amerikanëve po u bëhet thirrje që të mos heqin dorë nga kujdesi i shtuar.
“Nëse jeni duke luftuar në betejë dhe kalorësia është rrugës, mos i ndalni të shtënat, vazhdoni derisa kalorësia të vijë këtu, dhe më pas ju madje edhe mund të vazhdoni luftimet”- ka thënë Anthony Fauci, ekspert për sëmundje infektuese në Shtetet e Bashkuara.
Këtë javë, AstraZeneca është kthyer në krijuesen e tretë të vaksinës, që ka thënë se të dhënat tregojnë se dozat janë tejet efektive.
Javën e kaluar, kompania Pfizer i ka kërkuar Administratës amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve autorizim urgjent për nisje të shpërndarje të vaksinës, derisa Moderna pritet ta bëjë të njëjtën gjë këto ditë.
Zyrtarët federalë kanë thënë se dozat e para do të mund të transportohen pak ditë pas autorizimit.
Megjithatë, shumica e njerëzve do të duhet të presin për muaj që të sigurojnë dozat e para të vaksinës.
Vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna, kërkojnë marrjen e dy dozave, që nënkupton se njerëzit duhet të kthehen mbrapa për sigurimin e dozës së dytë pas tre apo katër javëve respektivisht, për të pasur mbrojtje të plotë.
Moncef Slaoui, udhëheqës i përpjekjeve amerikane për zhvillim të vaksinës, ka thënë në kanalin televiziv amerikan, CNN të shtunën, se të dhënat e hershme të Pfizer dhe Modernas sugjerojnë se rreth 70 për qind e popullsisë duhet të vaksinohet për të krijuar imunitetin e tufës gjë e cila sipas tij mund të ndodhë në muajin maj.
Por, përgjatë rrugës, ekspertët thonë se sfidat logjistike të fushatës më të madhe të vaksinimit në historinë amerikane dhe frika e publikut, bashkë me dezinformatat, mund të dëmtojnë procesin dhe fundi i pandemisë të shtyhet më tej.
“Do të jetë proces i ngadalshëm dhe do të jetë proces me ulje dhe ngritje, ashtu siç e kemi parë deri më tani”, ka thënë mjeku Bill Moss, ekspert për sëmundje infektive në Universitetin Johns Hopkins.