E kishin kthyer bar-bilardon në vend droge dhe lojëra fati, arrestohen dy të rinjtë në Tiranë
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë disa perona, të akuzuar për vepra të ndryshme penale, ndërsa janë sekuestruar lëndë narkotike kokainë, kanabis dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. M., 26 vjeç dhe M. Gj., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 2, bazuar në informacionet e marra se në një bar-bilardo kryhej aktiviteti i kundërligjshëm kriminal në fushën e shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimi i lojërave të palejuara, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti.
Si rezultat, gjatë kontrollit të bar-bilardos në pronësi të shtetasit E. M. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 37 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një sasi lënde e dyshuar kanabis, një valixhe metalike me fisha (çipsa), 2 aparate celularë dhe disa qese plastike që shërbenin për ambalazhimin e lëndëve narkotike.
Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi F. C., 20 vjeç, pasi u kap me një sasi të vogël lënde narkotike kanabis, të cilën e kishte blerë tek shtetasi M. Gj., i cili ishte i pranishëm në bar-bilardo.
Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. C., 26 vjeç, pasi më datë 21.11.2020, ka vjedhur mjetin në pronësi të shtetasit Xh. S. dhe më pas e ka shitur në një servis.
Mes të arrestuarve është edhe drejtuesi i mjetit, i cili humbi kontrollin ditën e djeshme pranë “Shkallëve të Tujanit” duke shkaktuar vdekjen e dy pasagjerëve.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
I. H., 23 vjeç, pasi në rrugën dytësore Golem-Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.97 mg/l, ka përplasur dhe është larguar nga vendngjarja, mjetin motor me drejtues R. S., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital është larguar për në banesë.
R. K., 29 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, duke drejtuar mjetin motor në gjendje të dehur, është përfshirë në një aksident, duke u vetëdëmtuar. Ky shtetas ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.