Sulmi me gurë ndaj qendrës shëndetësore, Manastirliu bën përgjegjëse opozitën për gjuhën e urrejtjes
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka dënuar sulmin me gurë ndaj qendrës shëndetësore në lagjen "Skënderbej" në Elbasan.
Duke e cilësuar një akt agresioni kundër institucioneve jetëshpëtuese, Manastirliu e gjen të frymëzuar prej gjuhës së palogjikshme të urrejtjes, që po përdoret këto kohë kundër bluzave të bardha.
Dhe këtu Ministrja nënkupton opozitën.
Manastirliu: Gurët e hedhur sot mbi qendrën shëndetësore në lagjen "Skënderbej" në Elbasan, të cilën vetëm pak muaj më parë e rindërtuam me standardet më të mira pas braktisjes prej 4 dekadash, janë një akt agresioni kundër institucioneve jetëshpëtuese, të frymëzuar prej gjuhës së palogjikshme të urrejtjes, që po përdoret këto kohë kundër bluzave të bardha. Dënoj me forcë këtë akt të dhunshëm, dhe mbështes me forcë punën e çdo mjeku e infermieri që shërben me përkushtim në këto kohë të vështira, në çdo cep të Shqipërisë. Bluzat e bardha meritojnë mirënjohjen tonë dhe jo dhunën verbale të kujt ka humbur busullën.