Paketa e rimbursimit të ilaçeve për pacientët me Covid që kurohen në shtëpi, dy skema trajtimi 1 650 dhe 10 900 lekë
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën rimbursimin e medikamenteve për personat e prekur me covid që do të trajtohen në shtëpi. Për formën e lehtë të sëmundjes rimbursimi është në vlerën e 1 mijë e 650 lekëve ndërsa për formën e mesme 10 mijë e 900 lekëve.
Mjekimi i personave të infektuar me virusin SARS-CoV-2, të cilët do të trajtohen në shtëpi, do të mbulohet nga shteti.
Vendimi është marrë të mërkurën nga Këshilli i Ministrave ndërsa do të jetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor institucioni i cili do të kryej rimbursimin.
Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë përbëhet nga dy skema trajtimi në varësi të formës së sëmundjes.
Në vendimin e zbardhur bëhet me dije se vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën e parë të trajtimit ku bën pjesë forma e lehtë do të jetë jo më shumë se 1 mijë e 650 lekë.
Ndërsa për formën e mesme të sëmundjes vlera e rimbursimit të medikamenteve do të jetë jo 10 mijë e 900 lekë.
Receta e rimbursimit për personat e diagnostikuar pozitiv me koronavirus do të lëshohet nga mjeku i familjes sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
E gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PAKETËS SË BARNAVE PËR TRAJTIMIN AMBULATOR NË BANESË TË PERSONAVE TË DIAGNOSTIKUAR ME COVID-19, QË DO TË FINANCOHET NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
2. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
3. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.
4. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.
5. Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
6. Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.
7. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
8. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA