Raporti: Trump donte të sulmonte Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rrezikuar ta zhbëjë trashëgiminë e tij si një president i paqes duke i shpallur luftë Iranit dhe duke destabilizuar Lindjen e Mesme. Lajmi mësohet dy javë pasi ai duket se i ka humbur zgjedhjet presidenciale.

Amerika dhe Irani mësohet se mund të ishin në mesin e një lufte frontale këto ditë, nëse presidenti amerikan, Donald Trump, do i kishte qëndruar vendimit për bombardimin e vendit.

Një raport i fshehtë i siguruar nga gazeta "The New York Times" pretendon se javën e kaluar, kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte konsultuar idenë për të goditur bazat atomike të Teheranit.

Takimi në zyrën ovale raportohet se u mbajt më 12 nëntor, më shumë se një javë pas zgjedhjeve presidenciale, dhe kishte si pjesëmarrës zv.presidentin Majk Pens, Sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo, dhe zyrtarë të Pentagonit.

Presidenti Tramp pretendohet se skenarin e bombardimit e mori parasysh pas publikimit të raportit të fundit të autoritetit ndërkombëtar për energjinë atomike, sipas të cilit Irani po vazhdon të pasurojë rezervat bërthamore duke shkelur zotimet e marra në marrëveshjen e vitit 2015.

Funksionarët e lartë i paraqitën skenaret që do pasonin në rast të konfliktit ushtarak, duke e bindur presidentin se sulmet nuk ishin në interesin e palës amerikane.

Të martën, Teherani reagoi përmes zëdhënësit të qeverisë duke kërcënuar se çdo sulm mbi kombin iranian do marrë përgjigje shkatërrimtare.

Kryeshtetari amerikan e ka kaluar mandatin e tij të parë presidencial me një politikë agresive kundër Iranit, duke e rënduar vendin me sanksione ekonomike.

Në vitin 2018 ai e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja antibërthamore me Teheranin duke e quajtur të padrejtë financiarisht dhe me justifikimin se pala tjetër nuk po i përmbahej asaj.

Irani raportohet se e ka kaluar me 12-fish sasinë e lëndëve radioaktive që ka rënë dakord të magazinojë, porse qëllimi mbetet vetëm për përdorim paqësor dhe civil, jo luftarak.

SHBA-ja dhe Irani për pak iu shmang luftës në janar të këtij viti kur Uashingtoni urdhëroi vrasjen e ish-gjeneralit iranian, Kasem Sulejmani.

Nga ana tjetër, presidenti Tramp ka tentuar të shmangë vazhdimin e konflikteve në Lindjen e Mesme, dhe ka premtuar tërheqjen e trupave amerikane nga shtete si Afganistani.

Administrata e re që pritet të kryesohet nga demokrati Xho Bajdeni, ka deklaruar se marrëdhëniet me Iranin dëshiron t'i përmirësojë duke nisur me rilidhjen e marrëveshjes për armët bërthamore që anuloi presidenti Tramp.