Uragani "Iota" shkund Nikaraguan, erërat me shpejtësi 260 km në orë rrëzojnë pemë dhe çati

Uragani i fuqishëm "Iota" po përshkon prej orësh Amerikën Qendrore, duke sjellë përmbytje e dëme materiale për banorët e Nikaraguas dhe shtetet fqinje.

Amerika Qendrore po kalon orë të vështira pas uraganit "Eta" të dy javëve më parë që la pas të gati 200 viktima.

Uragani tjetër "Iota" rriti fuqinë të hënën duke përshkuar shtetin e Nikaraguas me erëra të forta dhe shira të dendur.

Autoritetet paralajmëruan një katastrofë natyrore, rrebeshe vdekjeprurëse dhe evakuan banorët nga rreziku i përmbytjeve.

Në zonat bregdetare erërat me shpejtësi deri 260 kilometra në orë u krahasuan me plumbat, ndërsa hodhën poshtë pemë e çati banesash.

Ato konsiderohen më të fortat e vitit për gjithë rajonin e Atlantikut i cili ende nuk ka rikuperuar dëmet e uraganit të kaluar.

Banorët e Hondurasit dhe Guatemalës gjithashtu evakuan banorët në zonat e ulëta dhe ato më të rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut.

Liderët e këtyre dy vendeve kërkuan të hënën një koordinim ndërkombëtar për të luftuar pasojat e ndryshimeve klimatike që ata besojnë se janë shkaktarët e fatkeqësive të fundit.

Edhe shkencëtarët janë të mendimit se formimi i uraganeve ndikohet nga ngrohja globale dhe rritja e temperaturës së oqeaneve, që duket se i bëjnë ata ta humbin më ngadalë fuqinë dhe të jenë më shkatërrimtarë për një kohë më të gjatë.

Gjatë 2020-ës në Atlanik janë raportuar mbi 30 stuhi ciklonare, nga të cilat 13 uragane dhe 6 të kategorisë së rrezikshme.