Itali, Rtv Ora mëson se 8 të burgosur shqiptarë janë infektuar me Covid-19

Rtv Ora, në një komunikim ekskluziv me drejtuesit e Sindikatës së Policisë së Burgjeve, ka zbardhur se aktualisht janë 8 të burgosur shqiptarë të infektuar me koronavirus që vuajnë dënimin në burgjet italiane.

Numri i të burgosurve shqiptarë në Itali është 2,049, baraz me 11.9% të numrit të të burgosurve me kombësi të huaj. Sipas të dhënave të siguruara nga Rtv Ora, 438 të burgosur shqiptarë vuajnë dënimin në rajonin e Lombardisë që është një nga territoret më të prekura nga pandemia, 213 në Emilia Romagna, 238 në Toskana, 167 në Piemonte, 122 në Veneto.

Pak ditë më parë,kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Aldo Di Gacomo denoncoi një situatë shqetësuese në burgjet italiane, që ditë pas dite regjistron një rritje të numrit të të infektuarve, si në radhët e punonjësve të Policisë së Burgjeve, ashtu dhe tek të burgosurit.

Përgjithësisht, mes të burgosurve dhe personelit të burgjeve, janë rreth 1,050 të infektuar e deri më sot janë regjistruar 3 viktima.

"Mes të infektuarve janë dhe 8 të burgosur shqiptarë", ka thënë për gazetaren e Rtv Ora në Romë, kreu i sindakatës së Policisë së Burgjeve, Aldo Di Giacomo.

"Janë të infektuar nga Covid-19,  por në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa simptoma. Nuk  ka viktima të koronavirusit,  ndër të burgosurit me kombësi shqiptare në Itali.Tre viktimat kovid ndër të burgosurit, regjistruar deri më sot në Itali janë verifikuar  në Milano, Livorno e Alessandria."

Rritja e numrit të personelit të infektuar sjell problematika dhe në sigurinë në burg, pasi ka një reduktim drastik të numrit të punonjësve, rënduar dhe  nga niveli i lartë i infektimit që po kalon vendi.

Nëse aktualisht janë mbi një mijë të infektuar në radhët e personelit të burgjeve, rreth një 1,300 policë të tjerë janë në gjendje izolimi ose në pritje të kryerjes ose të rezultatit të tamponit për shkak të kontakteve që kanë pasur me personat pozitiv nga Covid-19.

Sindikata e Burgjeve apelon që të gjitha burgjet italiane, në këtë moment  të ndalojnë takimet me familjarët, të cilat të mund të kryhen vetëm në sisteme tematike, me skype apo telefonike. Kontaktet nga jashtë mund të jenë një burim infektimi për personelin dhe për të burgosurit.

"Është një normë mirëkuptuese në shërbim të të gjithëve dhe është e pamendueshme të menaxhosh një numër në rritje të personave të infektuar brenda sistemit të burgjeve italiane", thotë Aldo DI Giacomo.

 Sindikata e Policisë së Burgjeve është kundër dhe vendimeve të marra nga qeveria për lirimin nga burgjet dhe aplikimin e masës me arrest shtëpiak për të dënuarit deri në 18 muaj brug.

"Është e kuptueshme, shprehet kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, se Ministria e Drejtësisë në këtë mënyrë kërkon të lehtësojë ngarkesën e burgjeve nga mbipopullimi i tyre, por dënimi duhet të jetë i drejtë e të zbatohet, pasi ndryshe familjarët e viktimave ndjehen të abuzuar dyfish. Shteti duhet të jetë në krah të qytetarëve e jo të kriminelëve."

Sipas kreut të Sindikatës së Policisë së Burgjeve, premtohet se të burgosurit e dalë nga burgjet e në regjim arresti shtëpiak do t'u vendoset byzylyku elektronik, kur në të vërtetë nuk ka një numër të mjaftueshëm për një instrument të tillë.

Në fazën e  parë të pandemisë, dolën nga burgjet italianë rreth 8 mijë të burgosur dhe byzylykët elektronikë nuk qenë të mjaftueshëm për të gjithë.